Sezoni i pestë dhe i fundit i “Stranger Things” nis sot në Netflix, me premieren e pjesës së parë. Finalja do të shpërndahet në tre faza: katër episodet e para publikohen sot, tre të tjerat vijnë në Ditën e Krishtlindjes, ndërsa episodi përmbyllës do të lansohet natën e ndërrimit të viteve.
Meqë kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sezoni i katërt, miliona shikues po rikthehen për të rishikuar ngjarjet e serialit. “Stranger Things” ka qëndruar prej ditësh në top-5 listën globale të Netflix falë rikthimit masiv të fansave dhe atyre që po e shohin për herë të parë.
Ndër videot më të mira të recapit konsiderohet ajo e “Man of Recaps”, një përmbledhje 18-minutëshe e publikuar dy javë më parë, tashmë me mbi 680 mijë shikime.
Për ata që dëshirojnë të rifreskojnë vetëm sezonin e katërt, një version 11-minutësh i kanalit “Recap and Chill” është më i fokusuari.
Netflix gjithsesi ka ofruar një material zyrtar – videon “Eleven Things to Remember Before the Epic Conclusion of Stranger Things”, një përmbledhje e shkurtër tre-minutëshe e realizuar nga vetë aktorët.
Sezoni final pritet të jetë një nga lansimet më të mëdha të platformës, si në aspektin e audiencës ashtu edhe të përmasës së ngjarjeve, me Duffer Brothers që kanë paralajmëruar rikthimin e shumë elementeve nga sezonet e para dhe përgjigje për misteret e mbetura pezull.
Pavarësisht orarit jo fort të favorshëm për fansat që kanë familjen në vizitë gjatë festave, pritshmëritë janë të larta – dhe “Stranger Things 5” pritet të thyejë rekorde shikueshmërie gjatë fundvitit.