Mijëra fluturime në mbarë Shtetet e Bashkuara janë anuluar ose vonuar, teksa verilindja e vendit po përgatitet për një stuhi të ashpër dimërore, pikërisht në kulmin e sezonit të udhëtimeve festive.
Sipas faqes së specializuar për ndjekjen e fluturimeve FlightAware, deri pasditen e së premtes ishin anuluar rreth 1,500 fluturime, ndërsa mbi 5,400 të tjera ishin vonuar në të gjithë SHBA-në, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Aeroportet më të prekura janë John F. Kennedy International, Newark Liberty dhe LaGuardia, që shërbejnë zonën e Nju Jorkut, anulime janë raportuar gjithashtu në Filadelfia, Detroit dhe Toronto në Kanada.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar paralajmërim për stuhi dimërore nga ora 16:00 e së premtes deri në 13:00 të së shtunës, me parashikime deri në 23 centimetra borë në Nju Jork dhe jug të Connecticut-it.
Deri tani, JetBlue ka anuluar 227 fluturime, Delta Air Lines 213, ndërsa Republic Airlines dhe Southwest përkatësisht 157 dhe 146 fluturime.
Rreth 100 fluturime të tjera nga American Airlines dhe United gjithashtu nuk janë realizuar.
Aeroportet u kanë bërë thirrje udhëtarëve përmes rrjeteve sociale që të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore.
Autoritetet paralajmërojnë se reshjet më të dendura të borës priten mes orës 18:00 dhe mesnatës, ndërsa shoferët janë këshilluar të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të pajisen me mjete emergjente për shkak të kushteve të rrezikshme në rrugë.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, duke theksuar se ata që duhet të udhëtojnë duhet të planifikojnë paraprakisht dhe të lëvizin me kujdes.
Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe nga guvernatorët e New Jersey dhe Connecticut.
Kjo është reshja e dytë e madhe e borës për Nju Jorkun këtë sezon, pasi qyteti u mbulua me disa centimetra borë më 14 dhjetor.
Kryetari i bashkisë, Eric Adams, u ka kërkuar qytetarëve që përdorin makinat të largohen herët nga puna ose të përdorin transportin publik.
Mjetet për pastrimin e borës janë vënë në gatishmëri dhe do të fillojnë pastrimin e rrugëve sapo të grumbullohen mbi 5 centimetra borë.