Rreth një e treta e banorëve të kryeqytetit ukrainas, Kiev, kanë mbetur pa energji elektrike pas një bombardimi masiv rus gjatë natës ndaj zonave të banuara dhe infrastrukturës kritike, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Sipas tij, përveç energjisë, shumë banorë kanë mbetur edhe pa ngrohje, në një kohë kur vendi po përballet me temperatura të ulëta dimërore.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës njoftoi se të paktën një person është vrarë dhe 28 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sulmet ndodhën vetëm disa orë përpara nisjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky drejt Floridës, ku pritet të takohet të dielën me ish-presidentin amerikan Donald Trump për bisedime mbi paqen.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte kryer një “goditje masive hakmarrëse” ndaj objekteve energjetike të Ukrainës. Sipas Moskës, janë përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi nga toka, ajri dhe deti, duke synuar objekte që, sipas saj, shërbejnë për interesat e ushtrisë ukrainase dhe industrisë ushtarake.
Presidenti Zelensky përsëriti akuzat se Rusia “nuk dëshiron ta përfundojë luftën” dhe po shfrytëzon çdo mundësi për t’i shkaktuar më shumë dhimbje Ukrainës. Ai shkroi në Telegram se Rusia ka lëshuar gati 500 dronë dhe 40 raketa drejt Kievit, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe civile.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërtesa banimi me vrima të mëdha dhe shtëpi të përfshira nga flakët. Një pallat banimi ku jeton gazetarja e BBC-së, Anastasiya Gribanova, u godit gjatë sulmeve; ajo ndodhej në ashensor në momentin e shpërthimit, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.
Shërbimet e emergjencës njoftuan gjithashtu se 68 persona janë evakuuar nga një shtëpi të moshuarish në distriktin lindor Darnytskyi të Kievit.
“Përfaqësuesit rusë flasin gjatë, por në realitet flasin raketat ‘Kinzhal’ dhe dronët ‘Shahed’,” shkroi Zelensky, duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka interes për paqe. Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës, përfshirë SHBA-në dhe Evropën, që të reagojnë me masa të forta ndaj agresionit rus.