Një burrë që vrau katër persona kur sulmoi një ndërtesë të lartë në Nju Jork të hënën në mbrëmje, la një letër ku dukej se fajësonte Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL) për një dëmtim të trurit, ka thënë kryetari i qytetit, Eric Adams.
Sulmuesi, 27-vjeçari Shane Tamura nga Las Vegasi, vrau veten pasi hapi zjarr në një ndërtesë ku ndodhet selia e ligës amerikane të futbollit, por shkoi në një pjesë tjetër të ndërtesës pasi mori ashensorin e gabuar.
Sulmuesi mbante me vete një letër në të cilën fajësonte CTE-në, një sëmundje e trurit që shkaktohet nga trauma në kokë, për sëmundjen e tij mendore, tha Adams.
Tamura kishte luajtur futboll si adoleshent, por nuk kishte luajtur në NFL, thanë ish-shokët e tij të ekipit për mediat amerikane.
Oficeri i policisë së qytetit të Nju Jorkut, Didarul Islam, 36 vjeç – i cili po punonte si roje sigurie në ndërtesë – ishte një nga të vrarët. Tre viktima të tjera ende nuk janë identifikuar zyrtarisht.
Një punonjës i NFL-së gjithashtu u plagos rëndë në sulm, shkroi komisioneri i ligës Roger Goodell në një mesazh për stafin.
I pyetur për një motiv të mundshëm, Adams i tha CBS: “[Tamura] kishte me vete një letër. Letra aludonte që ai ndihej se kishte CTE, një dëmtim të njohur të trurit për ata që marrin pjesë në sporte kontakti.
“Dukej se ai fajësonte NFL-në për dëmtimin e tij.”
Sulmuesi duket se kishte udhëtuar nga Las Vegasi në Nju Jork, dhe përdori një pushkë sulmi gjatë sulmit.
Pas hapjes së zjarrit në holl, ai hipi në një ashensor për në katin e 33-të të ndërtesës dhe vazhdoi të hapte zjarr.
Kryetari Adams tha se hetimet paraprake tregojnë se sulmuesi gabimisht shkoi në zyrën e Rudin Management, kompanisë që zotëron ndërtesën./BBC