Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita udhëheqëse.
Vendimi është marrë më 27 tetor, pasi Gjykata Supreme ka shqyrtuar nëse ankesa i plotësonte kushtet ligjore për t’u trajtuar nga kjo gjykatë.
Supremja ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt nga pozita udhëheqëse nuk është vendim disiplinor, pasi ndaj tij nuk është konstatuar përgjegjësi disiplinore. Sipas Gjykatës, vendimi është akt individual me karakter administrativ.
“Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës Supreme, fakti që një vendim i Këshillit sjell ndërprerjen e ushtrimit të funksionit ose pozitës udhëheqëse të kryeprokurorit nuk përcakton, në vetvete, natyrën disiplinore të atij vendimi. Që një vendim të cilësohet si disiplinor, kërkohet që, për nga përmbajtja dhe procedura e zhvilluar, ai të ketë për objekt konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe përcaktimin e pasojave juridike që rrjedhin nga kjo përgjegjësi, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet nga Supremja.
Për këtë arsye, Supremja ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore për ta shqyrtuar ankesën në kuadër të kompetencës së saj për çështjet disiplinore.
“Në rastin konkret, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse është nxjerrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa u konstatuar përgjegjësia disiplinore e ankuesit. Për këtë arsye, vendimi i kontestuar, për nga natyra e tij juridike, përbën akt individual me karakter administrativ dhe jo vendim disiplinor në kuptim të ligjit përkatës”.
Blerim Isufaj ankohet në Gjykatën Supreme për shkarkimin e tij