Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë nga “Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, e paraqitur kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me të cilën ka kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014 (MASHT) Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënës të Shkollave të Mesme të Larta.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, “Arrita” pretendon se me Udhëzimin Administrativ nr.06/2014, që është një akt administrativ i përgjithshëm, nuk mund të ndalohet ushtrimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë e kokës (mbulesën islame), por Supremja ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, njofton Dukagjini.
“Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”, thuhet në njoftimin e tyre.