Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të nuk është një ide e re, por një praktikë e përhapur në vendet e Bashkimit Evropian, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me trajtimin e sektorit privat.
Gjatë seancës, Murati theksoi se në disa shtete si Italia, Spanja dhe Portugalia paga e 13-të është obligative me ligj, ndërsa në vende si Austria, Gjermania, Holanda dhe Franca, ajo jepet zakonisht çdo vit, madje në disa raste edhe paga e 14-të.
Ai shtoi se kjo praktikë është e njohur në vendet drejt të cilave synon integrimin edhe Kosova.
“Dhe në anën tjetër që po ashtu shtoi diçka që nuk qëndron, pra fakti që nuk jepet paga e 13-të. Pra në një hulumtim të thjeshtë, deputeti Tahiri do ta gjente se paga e 13-të është obligative në disa prej shteteve të Bashkimit Evropian, siç është Italia, Spanja, Portugalia e të tjera. Ndërkaq, megjithëse nuk është obligative ligjërisht, është zakonore pra që në fund të vitit të jepet paga e 13-të e madje në disa raste edhe e 14-ta, për çdo vit, në shtete siç është Austria, Gjermania, Holanda, Franca e ashtu me radhë. Pra nuk është që po shpikim diçka, kjo praktikë ekziston në shtetet e Bashkimit Evropian, drejt të cilit ne po aspirojmë”, tha ai.
Murati po ashtu theksoi masat financiare të ndërmarra nga Qeveria për mbështetjen e qytetarëve dhe sektorit privat. Ai përmendi ndarjen e 70 milionë eurove në dhjetor të vitit të kaluar si pagesë e njëhershme për familjet dhe pensionistët, ku çdo pensionist dhe çdo fëmijë ka përfituar nga 100 euro shtesë. Sipas tij, përveç kësaj, çdo vit ndahen rreth 200 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe nënat lehona.
“Për sa i përket asaj se çfarë po bëhet për sektorin privat apo çfarë Qeveria ka bërë, më lejoni t’ju kujtoj që 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagesë e njëhershme pra për të gjitha familjet që kanë fëmijë apo pensionistë. Pra të gjitha familjet kanë qenë përfituese. Pensionistët kanë marrë një shtesë prej 100 eurove në fund të vitit, e gjithashtu secili fëmijë dhe secila familje që ka pasur fëmijë, për çdo fëmijë ka marrë nga 100 euro shtesë. Për më tepër, pra përveç pagesës së njëhershme, më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj që me qeverisjen tonë, për sektorin privat dhe për të gjitha familjet, pra për nënat dhe fëmijët, tashmë jo një herë në vit, por çdo vit, jepen 200 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe për shtesat për nënat lehona”, tha ai.
Në anën tjetër, deputeti i Aleances për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kritikoi Qeverinë për mospërkrahje të punëtorëve të sektorit privat, sidomos pas shpërndarjes së pagës së 13-të për sektorin publik.
Tahiri theksoi se sektori privat është kontribuuesi kryesor në buxhetin e shtetit dhe se, sipas tij, po neglizhohet nga institucionet.