Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2026, duke thënë se dokumenti nuk është në përputhje me dokumentin orientues të qeverisë dhe nuk reflekton zotimet politike dhe synimet strategjike të saj.
Ai ka përmendur disa pika problematike, fondi i sigurimeve shëndetësore, që sipas buxhetit është 10.834.000 euro, nuk është i mjaftueshëm për zbatimin e premtimit të qeverisë për sigurime shëndetësore.
Po ashtu, ai ka theksuar se investimet kapitale në ushtri për vitin 2026 janë vetëm 2 milionë euro më shumë se viti 2025.
“Kur e shihni pikën që flet për fondin e sigurimeve shëndetësore, buxheti i përcaktuar këtu është 10 milionë e 834 mijë euro, më fal qysh bëhet sigurimi shëndetësor me pikë vijë buxhetore, qysh arrin me zbatimin në këtë vit të premtimit më të madh të kësaj qeverie të sigurimeve shëndetësorë, pra me 10 milionë euro kjo nuk bëhet”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se vetëm 24 milionë euro janë ndarë për Policinë.
“Investimet për vitin 2026 në raport me investimet kapitale në ushtri për 2025 dallojnë jo më pak se 2 milionë euro. Qysh blihen bre gjithë ato armatime e zotime me 2 milionë euro më shumë. Pra, po flasim për një buxhet që nuk reflekton në një zotim politik dhe me atë që është synimi strategjik i kësaj qeverie…Çështja tjetër, vetëm 24 milionë euro në Polici, pra për çfarë zotimi për siguri e forcim të vendit po flasim me këto të dhëna buxhetore”, ka theksuar ai.
Ai ka paralajmëruar se AAK nuk do ta mbështesë këtë buxhet dhe propozoi bojkotimin e procesit të diskutimit për disa ditë, duke theksuar se dokumenti mund të përmirësohet vetëm nëse arrihet konsensus për amendamente të sakta.
“Ne nuk e mbështesim këtë dokument të buxhetit. Këto dy tri ditë që i kemi përpara nëse kemi me vazhdu mos me pas mundësi mos me dhënë asnjë amendament, unë propozoj që të bojkotojmë procesin e diskutimit për buxhetin, sepse ky buxhet mundet pak me u forcu disa muaj vetëm nëse arrihet një konsensus për të bërë amendamentime të sakta në këtë buxhet. Përndryshe ky s’është buxhet i këtij viti por i 31 tetorit”, ka deklaruar Tahiri i AAK-së.
