Tajlanda dhe Kamboxhia arrijnë armëpushim pas përleshjeve disa javëshe

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm, kanë njoftuar ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve në një deklaratë të përbashkët. Marrëveshja synon t’i japë fund pothuajse tre javëve të përleshjeve intensive përgjatë kufirit, ku janë vrarë dhjetëra persona dhe rreth një milion civilë janë zhvendosur.

Sipas deklaratës, palët kanë rënë dakord të ngrinë vijat e frontit në pozicionet aktuale dhe të lejojnë kthimin e civilëve në zonat kufitare.

Armëpushimi ka hyrë në fuqi të shtunën në mesditë sipas kohës lokale (05:00 GMT). Pas 72 orësh zbatim, Tajlanda pritet të lirojë 18 ushtarë kamboxhianë, të cilët i mban të ndaluar që nga korriku, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Marrëveshja u arrit pas disa ditësh bisedimesh, të mbështetura diplomatikisht nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo parashikon gjithashtu pastrimin e minave tokësore në zonat e prekura.

Ministri tajlandez i Mbrojtjes, Natthaphon Narkphanit, e cilësoi armëpushimin si një provë të “sinqeritetit të palës tjetër”, duke paralajmëruar se Tajlanda ruan të drejtën e vetëmbrojtjes nëse marrëveshja shkelet.

Një armëpushim i mëparshëm, i arritur në korrik, dështoi pas rifillimit të përleshjeve në fillim të këtij muaji, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën. Gjatë dhjetorit, tensionet vazhduan dhe Tajlanda kreu sulme ajrore brenda territorit të Kamboxhias, të cilat Phnom Penhi i cilësoi si sulme pa dallim ndaj zonave civile.

Mosmarrëveshjet kufitare mes dy vendeve datojnë prej më shumë se një shekulli, por janë përshkallëzuar këtë vit pas incidenteve në zona të kontestuara. Në maj u vra një ushtar kamboxhian, ndërsa në korrik shpërthyen luftime të ashpra disa ditore që shkaktuan viktima dhe zhvendosje masive.

Një marrëveshje e ndërmjetësuar më herët nga Malajzia dhe e njohur si “Marrëveshja e Paqes e Kuala Lumpurit” u pezullua në nëntor nga Tajlanda, pas incidenteve me mina tokësore. Zbatimi i qëndrueshëm i armëpushimit të ri pritet të varet nga vullneti politik i të dyja palëve, në një klimë ku ndjenjat nacionaliste mbeten të forta.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika