Tajlanda mbyll kufirin me Kamboxhian pas përleshjeve ushtarake që lanë të paktën 12 të vdekur

Një përplasje e re ushtarake ka shpërthyer në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias, ku një aeroplan luftarak F-16 i Tajlandës ka bombarduar një cak ushtarak në territorin kamboxhian të enjten në mëngjes, duke përshkallëzuar ndjeshëm tensionet mes dy vendeve.

Deri më tani, ministri i Shëndetësisë së Tajlandës ka konfirmuar se numri i viktimave ka arritur në 12 persona – një ushtarak dhe 11 civilë. Sipas tij, gjithsej 35 persona janë prekur nga sulmet, duke përfshirë të plagosur dhe të zhvendosur, raporton BBC.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Tajlandës i ka bërë thirrje Kamboxhias që të ndalë menjëherë veprimet që i cilëson si shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Tajlanda ka paralajmëruar se është e gatshme të intensifikojë masat e vetëmbrojtjes në rast se sulmet e armatosura nga ana e Kamboxhias vazhdojnë.

Nga ana tjetër, Kamboxhia e ka akuzuar Tajlandën për përdorim të tepruar të forcës në territorin kamboxhian, duke e cilësuar reagimin tajlandez si disproporcional dhe kërcënues për civilët.

Tajlanda ka ngritur gjashtë aeroplanë luftarakë përgjatë kufirit të kontestuar, dhe njëri prej tyre ka kryer sulmin ajror në fjalë, duke hedhur dy bomba mbi një cak që ushtria tajlandeze e konsideron si objektiv ushtarak.

Zëvendëszëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Richa Suksuvanon, ka deklaruar se “fuqia ajrore është përdorur kundër caqeve të planifikuara ushtarake”. Si pasojë e përshkallëzimit, Tajlanda ka mbyllur kufirin me Kamboxhian.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias ka reaguar ashpër, duke e quajtur sulmin ajror një “agresion brutal dhe të pamatur” ndaj sovranitetit të saj. Sipas tyre, bombat kanë goditur edhe një rrugë në territorin kamboxhian.

Tensionet janë rritur që nga e mërkura, kur Tajlanda tërhoqi ambasadorin e saj nga Phnom Penhi dhe njoftoi për dëbimin e emisarit kamboxhian në Bangkok, pasi një ushtar tajlandez humbi një gjymtyrë në një zonë të minuar.

Tajlanda pretendon se minat janë vendosur nga forcat kamboxhiane për shkak të një kontesti kufitar të pazgjidhur.

Ndërkohë, Tajlanda ka akuzuar ushtrinë kamboxhiane për sulme me “artileri të rëndë” ndaj një baze të saj ushtarake dhe për goditjen e zonave të banuara me civilë, përfshirë edhe një spital. Sipas saj, veprimet ushtarake janë kryer në vetëmbrojtje.

Banorët në rajonin kufitar Surin janë evakuuar në strehimore të fortifikuara me beton dhe rërë. Ndër ta ka edhe fëmijë dhe të moshuar që po strehohen nga frika e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.

Shija e redaktorit

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Osmani kërkon interpretim nga Kushtetuesja për moskonstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarim juridik lidhur me situatën pas përfundimit të afatit kushtetues...

Fitore e jashtëzakonshme me nokaut nga Usyk, e rrëzon Duboisin...

Oleksandr Usyk është shpallur kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks, pas triumfit ndaj boksierit londinez Daniel Dubois.  Raundin e parë Usyk e...

Të fundit nga rubrika