Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen këtë të premte në Gjenevë me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi, në përpjekje për të ulur tensionet e shtuara në krizën midis Iranit dhe Izraelit.
Nëse takimet zhvillohen sipas planit, ato do të jenë bisedimet e para ballë për ballë midis Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit një javë më parë.
Këto takime do të përfaqësonin gjithashtu përfshirjen më të rëndësishme të Evropës në krizën në rritje. Vonesa e papritur prej dy javësh nga Presidenti Trump në marrjen e një vendimi për një ndërhyrje ushtarake u jep diskutimeve në Gjenevë më shumë peshë — ai ka deklaruar se ende dëshiron t’u japë një shans negociatave.
Përpara shpërthimit të konfliktit, Shtetet e Bashkuara po zhvillonin bisedime dypalëshe me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore, duke lënë mënjanë Evropën, e cila kishte luajtur një rol kyç në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila Presidenti Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Ministrat evropianë pritet t’i bëjnë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave — Irani thotë se e dëshiron këtë, por jo ndërsa është nën sulm.
Ndërkohë, as Izraeli dhe as Irani nuk po tregojnë gatishmëri për të bërë hapa pas.