Menysë së temave të cilat kthehen në shije të hidhët dhe i dështojnë takimet e procesit të dialogut e Brukselit, krahas asociacionit dhe Marrëveshjes së Ohrit i është shtuar edhe problemi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilin nuk e mirëpriti pala serbe, dhe e braktisi takimin.
Braktisja e tryezës ku flitet për shqiptarët që jetojnë në Serbi nuk është pritur me habi në Luginë të Preshevës, sepse sipas përfaqësuesve atje, kjo është praktikë e zakonshme që e përjetojnë çdo ditë.
Enkel Rexhepi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, për TV Dukagjini tregon se problemi që u ngrit në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel, ka mbetur i pazgjidhur.
2 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës, për bujqit shqiptarë në Serbi përpos që janë bllokuar e kanë sjellë edhe shkarkimin e anëtarëve dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar.
“Më datë 05.03.2025 ne si KKSh kemi dorëzuar në Gjykatën Administrative në Beograd një padi kundër këtij vendimi dhe ajo që është më qesharake është se Gjykata Administrative nuk na njeh neve si palë, edhe pse bëhet fjalë për çështjen, për vendimin e KKSh-së”, ka thënë Enkel Rexhepi – Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
2 milionë euro janë të bllokuara në konton e Këshillit Kombëtar, duke pritur që të zgjidhet ky problem.
Në anën tjetër, edhe për vëzhgues të procesit të dialogut nga Kosova, çështje si asociacioni dhe tema që shfaqin bllokadën e betonuar, nuk janë fare risi.
Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë se nuk ka dialog sepse Bashkimi Europian ose nuk e kuptojnë ose nuk kanë guxim ta kuptojnë dhe shpjegojnë problemin e Ballkanit Perëndimor.
“Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë, nuk mundesh me zgjidh asgjë me Serbinë, ai është shtet fashist edhe pikë. Kosova çka mundet me bë është me diskutu vetëm me BE-në, një dialog shumë i thellum dhe përmbajtësor në mundësinë e asaj të integrimit të Kosovë në NATO dhe në BE, për shkak të rrethanave që po krijohen. Kjo i bie që Kosova i merr përsipër obligimet, por ama integrimit duhet të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i thelluar në familjen euroatlantike sepse rrethanat gjeopolitike kanë me detyru BE-në me vepru më shpejt”, ka thënë Dritëro Arifi – Profesor.
Arifi thotë se ideja se duhet të pritet që Serbia të ndryshoj qëndrim, duhet të zëvendësohet me zbatimi të njëanshëm të zotimeve, të shoqëruar me dialog me Komisionin Europian dhe Këshillin e Europës, për t’i dalë fund rrugës së gjatë të integrimit të plotë në Unionin Evropian.