Pesë persona që pësuan aksident trafiku të premten mbrëma në fshatin Slivovë të Ferizajt pas përplasjes me një autobus ishin pjesë e stafit zgjedhor, të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), njofton Dukagjini.
Tutje, KQZ-ja bën të ditur se pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin.
“Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.