Tre të akuzuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të akuzuarit dy vëllezërit, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, deklarimin për fajësinë e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi se të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të paraqesin kundërshtime ndaj provave dhe kërkesë për hedhjen e aktakuzës.
Kjo seancë u mbajt pasi Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, refuzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit Kodraliu nga rasti.
Në seancën e 24 dhjetorit 2025, avokati i Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e tij, kërkesë që ishte mbështetur edhe nga mbrojtësit e dy të akuzuarve të tjerë, çka kishte çuar në ndërprerjen e seancës.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 9 dhjetor 2025 për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, infrastrukturë kritike që furnizon me ujë të pijshëm disa komuna dhe shërben për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas aktakuzës, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit, duke e aktivizuar atë përmes një fitili me ndezje të ngadalshme. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, është ndërprerë furnizimi me ujë për disa komuna dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike në vend.
Dëmi material i shkaktuar ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” vlerësohet mbi 376 mijë euro.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” dhe “Kryerja e veprës terroriste”.
Në pikën e dytë të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre në Zubin Potok dhe Prevllak janë gjetur armë automatike, granata dore, municion i llojeve të ndryshme, pajisje ushtarake, radiolidhje, uniforma dhe pajisje të tjera, të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Ndërkaq, Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për veprën penale të spiunazhit. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se si i rekrutuar në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka mbledhur informacione të klasifikuara, përfshirë një dokument konfidencial të KFOR-it dhe të dhëna mbi lëvizjet e ushtarëve amerikanë, me qëllim t’i dërgonte tek Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë.
Ai dyshohet gjithashtu se ka tentuar të krijojë një narrativë të rreme përmes një dokumenti të modifikuar, duke paraqitur ekzistimin e një organizate fiktive.
Ndërsa, Igor Dimoviq akuzohet për posedim të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur karikatorë, municion, thikë dhe uniforma ushtarake.
Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc