Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë mes dy trenave me shpejtësi të lartë në jug të Spanjës, mbrëmjen e së dielës, kanë bërë të ditur autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur pranë qytetit Adamuz, afër Kordobës, kur një tren që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit ka dalë nga shinat dhe është përplasur në një linjë fqinje, njoftoi operatori hekurudhor Adif.
Si pasojë, edhe një tren tjetër që po udhëtonte në drejtim të kundërt, nga Madridi për në Huelva, ka dalë nga shinat.
Shërbimet emergjente të Andaluzisë kanë bërë të ditur se të paktën 73 persona kanë mbetur rëndë të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet për nxjerrjen e pasagjerëve të bllokuar në vagonët e përmbysur.
Sipas Adif, aksidenti ka ndodhur rreth dhjetë minuta pasi treni ishte nisur nga Malaga, në orën 18:40 sipas kohës lokale. Kompania ka njoftuar se po hap hapësira pritjeje për familjarët e viktimave në stacionet Atocha (Madrid), Sevilla, Córdoba, Málaga dhe Huelva.
Pas aksidentit, të gjitha shërbimet hekurudhore mes Madridit dhe Andaluzisë janë pezulluar, ndërsa stacionet do të qëndrojnë të hapura gjatë natës për pasagjerët e prekur.
Kompania private hekurudhore Iryo, e cila operonte udhëtimin nga Malaga, ka konfirmuar daljen nga shinat dhe ka bërë të ditur se në tren ndodheshin rreth 300 pasagjerë.
Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia kanë reaguar përmes një deklarate, duke thënë se po e ndjekin ngjarjen “me shqetësim të madh”.
“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e viktimave, si dhe dëshirat për shërim të shpejtë për të plagosurit,” thuhet në deklaratën e Pallatit Mbretëror, publikuar në rrjetin X.
