Të paktën 9 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Të paktën gjashtë njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet ruse me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës gjatë natës, njoftuan të hënën në mëngjes shërbimet e emergjencës të Ukrainës.

Ekipet për shpëtim dhe zjarrfikësit po përpiqen të nxjerrin njerëz që besohet se kanë ngecur nën rrënojat e një ndërtese banimi, e cila është shembur pjesërisht.

Në një zonë tjetër të Ukrainës, një sulm me dron rus me rreze të shkurtër veprimi vrau dy njerëz dhe plagosi dhjetë të tjerë në rajonin e Çernihivit, thanë autoritetet. Sipas kreut të administratës rajonale, Viacheslav Chaus, tre fëmijë janë mes të plagosurve.

Në një qytet tjetër të Ukrainës, Bila Tserkva, u vra një person dhe u plagosën tetë të tjerë.

Rusia i kreu këto sulme pothuajse një javë pas një sulmi të kombinuar që e ndërmori të martën e kaluar, ku vrau 28 njerëz në Kiev, 23 prej të cilëve në një ndërtesë banimi që u shemb pasi u godit drejtpërdrejt nga një raketë ruse.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti atë sulm si një nga bombardimet më të mëdha të luftës, e cila është tani në vitin e katërt.

Në orët e para të së hënës, dronët dhe raketat goditën zona banimi, spitale dhe infrastrukturë sportive në disa qarqe të Kievit, sipas shërbimeve të emergjencës.

Dëmet më të mëdha u raportuan në qarkun Shevçenkivski, ku një pjesë e një ndërtese pesëkatëshe u shemb.

Pesë njerëz u konfirmuan të vdekur nga sulmi në ndërtesë, ndërsa 10 të tjerë, përfshirë një grua shtatzënë, u shpëtuan nga një godinë e lartë aty pranë, që gjithashtu pësoi dëme të rënda nga shpërthimi.

Banorë të tronditur, disa të mbështjellë me batanije, vëzhgonin me lot në sy ndërsa po zhvillohej operacioni i pastrimit. Dhjetëra vullnetarë po ndihmonin për të hequr xhamat e thyer, degët e pemëve të rrëzuara dhe mbeturinat e tjera.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u tha gazetarëve nga vendi i ngjarjes se “shpresojmë shumë që numri i viktimave të mos rritet”, por punonjësit e shpëtimit ishin ende duke kërkuar në ndërtesën e shembur për viktima të tjera./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit...

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe të shtunën, më 21 qershor 2025, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit për automjetet në...

Vasfije Krasniqi rrëfen historinë e saj në OKB: Drejtësia është...

Vasfije Krasniqi ka ndarë rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, në Kombet e Bashkuara në...

Në ditën e çlirimit të komunës, përurohet memoriali i dëshmorëve...

Në tokën kur dikur u derdh gjak për liri, sot përjetësohen emrat që nuk do të shuhen kurrë. Në ditën e çlirimit të komunës së...

Të fundit nga rubrika