Dy personat që janë plagosur këtë të premte në afërsi të Gjykatës Themelore të Pejës ishin liruar sot nga po kjo gjykatë.
Burime të Dukagjinit bëjnë me dije se të shtënat me armë që ndodhën ku si pasojë mbetën të plagosur dy persona për motiv kishin hakmarrjen për ngjarjen që kishte ndodhur te Ujvara e Mirushës, ku mbeti një i vrarë në vitin 2022.
Plagosja e tyre me kallashnikov këtë të premte ndodhi pasi tre të dyshuarit për këtë rast janë liruar nga Gjykata.
I dyshuari për plagosje u arrestua në vendin e ngjarjes nga Policia e Kosovës.
Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 16:10 minuta Policia ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Gjykatës Themelore në Pejë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se dy persona janë të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman në Emergjencën e Spitalit Rajonal, gjersa një i dyshuar është arrestuar menjëherë në flagrancë në vendin e ngjarjes. Ende nuk e dijmë (shkallën e lëndimit, janë të plagosur nga të shtënat, por nuk e dimë”, tha Gashi për Dukagjinin.
Ndërkohë gjendja e dy personave që mbetën të plagosur është e rëndë dhe po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.