Policia e Kosovës ka nisur një hetim lidhur me pretendimet për tela elektrikë të zhytur në ujë në Liqenin e Ujmanit, pas deklaratave të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës.
Ai kishte raportuar në media se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje kishte vërejtur tela të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, nëse aktivizoheshin, do të përbënin rrezik për jetën e qytetarëve.
Sipas njoftimit, personi që bëri deklaratat është intervistuar si dëshmitar dhe ka dorëzuar edhe një video që dokumenton gjetjet e tij.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësia përkatëse e kontrollit kufitar ujor ka realizuar kontrolle në terren dhe ka konstatuar se telat e përmendur nuk janë të lidhur me ndonjë burim energjie elektrike dhe nuk paraqesin ndonjë rrezik për qytetarët.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, më 30.07.2025 ka nisur hetimin lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës.
Më 30.07.2025, i njëjti ka deklaruar në media se në Liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
I njëjti është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik.
Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje.
Pas analizimit të të gjitha provave dhe informacioneve, Prokuroria Themelore Mitrovice ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal.
Njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor, si dhe njësi të tjera policore, vazhdimisht kryejnë patrullime të rregullta në Liqenin e Ujmanit, me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe monitorimit të situatës në terren”, thuhet në njoftim.