Ministria e Mbrojtjes e Tajvani njoftoi se ka identifikuar 16 avionë luftarakë kinezë që operuan pranë ishullit të premten, në të njëjtën periudhë kohore kur presidenti i Kina, Xi Jinping, zhvillonte një takim në Pekin me një përfaqësuese të opozitës tajvaneze.
Xi priti në kryeqytetin kinez Cheng Li-wun, kryetaren e partisë opozitare Kuomintang (KMT). Gjatë takimit, ai ritheksoi qëndrimin e Pekinit kundër çdo forme pavarësie të Tajvanit, duke deklaruar se Kina nuk do ta tolerojë një gjë të tillë.
Nga ana e saj, Cheng e përshkroi vizitën si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të avancuar dialogun për paqen në ngushticën e Tajvanit, duke shprehur dëshirën për bashkëpunim më të strukturuar mes KMT-së dhe Partisë Komuniste të Kinës.
Sipas raportit të përditshëm të autoriteteve tajvaneze, avionët ushtarakë kinezë kanë fluturuar pranë ishullit nga mesi i mëngjesit deri në mesditë, ndërsa takimi mes Xi dhe Cheng është zhvilluar rreth orës 11:00.
Zëvendësministri i Këshillit për Çështjet e Kinës në Tajvan, Shen Yu-chung, deklaroi se presioni ushtarak i Kinës përdoret shpesh si mjet për të ndikuar negociatat politike, duke theksuar kontrastin mes retorikës për paqe dhe veprimeve në terren.
Ndërkohë, në Pekin, nënkryetari i KMT-së, Chang Jung-kung, tha se dialogu me Kinën mund të sjellë “paqe me dinjitet”, duke u dhënë qytetarëve tajvanezë zgjedhjen mes stabilitetit dhe konfliktit.
Në një reagim të veçantë, zyra e presidentit tajvanez Lai Ching-te akuzoi se takimi synon të përforcojë pretendimin e Kinës mbi Tajvanin dhe të nxisë idenë e aneksimit. Zëdhënësja Karen Kuo theksoi se e ardhmja e ishullit duhet të vendoset vetëm nga populli tajvanez.