Të paktën tetë persona kanë humbur jetën pas ortekut që ndodhi të martën, duke e bërë këtë një nga tragjeditë më të rënda të këtij lloji në Kaliforni në dekadat e fundit.
Një person ende konsiderohet i zhdukur, njoftoi zyrtari i policisë.
Ngjarja ndodhi për grupin prej 15 skiatorësh, ku gjashtë prej tyre u shpëtuan, përfshirë një udhëzues dhe klientët e tij, me moshë nga 30 deri në 55 vjeç.
Të mbijetuarit dërguan sinjale SOS pas lavinës dhe ekipet e shpëtimit ishin në kontakt me ta përmes mesazheve tekst. Ata gjithashtu kishin pajisje emergjente (beacon) për ndihmë.
Dy nga të shpëtuarit u dërguan në spital; njëri është liruar, ndërsa tjetri po trajtohet për lëndime jo-jetëkërcënuese.
Autoritetet thanë se po përgatiteshin për të rikuperuar trupat e viktimave, por kushtet mbeten të rrezikshme dhe siguria e punonjësve të emergjencës është prioritet. Lavina përfshiu një zonë të gjatë sa një fushë futbolli.
Shumica e shpëtuesve janë vullnetarë. Një nga skiatorët e vrarë ishte bashkëshorti i njërit prej anëtarëve të ekipit të kërkim-shpëtimit, gjë që e bën më të vështirë punën e tyre, raporton BBC.
Don O’Keefe nga Zyra e Shërbimeve Emergjente të Kalifornisë vlerësoi heroizmin e vullnetarëve të shpëtimit, ndërsa Sherifi Wayne Woo i quajti ata “shërbëtorë të vetëflijuar” që vendosin jetën e tyre në rrezik për të ndihmuar të tjerët.
