Tilly Norwood: (I)Aktorja që nuk është njeri

Tilly Norwood u prezantua në Festivalin e fundit të Filmit në Cyrih. Por kjo aktore nuk është njerëzore. Ajo është krijuar nga një inteligjencë artificiale (IA).

A do të shënojë ajo fundin e epokës së aktorëve prej mishi e gjaku?

Ajo mund të bëhet ndoshta Scarlett Johanssoni ose Natalie Portmani i ardhshëm. Kështu shpresojnë krijuesit e saj, pasi Tilly Norwood nuk është një aktore e vërtetë, por një “IAktore” e prezantuar në Festivalin e Filmit në Cyrih nga Eline Van der Velden, drejtoreshë e Particle6 Productions.

Një risi që ka ngjallur disa shqetësime. Van der Velden përpiqet të qetësojë publikun: “Tilly nuk zëvendëson një qenie njerëzore”. Por njëkohësisht ajo pranon se është tashmë në bisedime me disa agjenci artistike të interesuara për të rekrutuar aktoren virtuale, e cila mburret në llogarinë e saj në Instagram: “Brenda njëzet sekondash kam luftuar me përbindësha, kam shpëtuar nga shpërthime, kam shitur një makinë […]. Gjej një aktore që mund t’i bëjë të gjitha këto”.

Tilly nuk i fsheh ambiciet e saj: ndonëse kinemaja ka përdorur prej kohësh subjekte digjitale anonime si figurantë, ajo synon të bëhet yll i vërtetë, të marrë rolet kryesore.

“Pse të mos imagjinojmë […] forma të reja të famës për inteligjencat artificiale?”, pyet filozofi Jim Gabaret, i cili në librin Arti i IA-ve (PUF, 2025) vëren se disa inteligjenca artificiale “janë tashmë në proces të krijimit të një emri në artin bashkëkohor”.

A ka Tilly potencialin për t’u bërë një ikonë e kinemasë?

E programueshme, e rikrijueshme dhe e shumëfishueshme në pafundësi, ajo është e aftë të ndryshojë pamjen sipas dëshirës. Por ndryshe nga një aktor i vërtetë, ajo nuk “luan” vërtet një rol – thjesht bëhet ajo që i kërkohet të jetë dhe bën atë që i urdhërohet. Nëse aktori ndjek një skenar, gjestet dhe intonacionet e tij të papritura kontribuojnë në krijimin e filmit. Tilly, nga ana tjetër, duket e dënuar me përputhshmëri mekanike.

Siç vëren Gabaret, “skeptiku do të thotë se pa një komandë njerëzore, IA-të nuk prodhojnë asgjë dhe se ato nuk janë artiste, por mjete për prodhimin e veprave”. Megjithatë, a mund të jemi kaq kategorikë? Në një farë mënyre, inteligjenca artificiale “krijon” gjithashtu, për të mbushur boshllëqet që lënë udhëzimet gjithmonë të paplota që i jepen.

Prandaj, nëse “rezultati i saj është i paparashikueshëm për përdoruesin, a nuk është ky i fundit thjesht porositësi i një makinerie artiste, ashtu siç ishte Papa vetëm porositësi i Mikelanxhelos që pikturoi Kapelën Sistine”?

Marrë nga revista Philosophie, përkthyer dhe përshtatur për Dukagjinin.

Shija e redaktorit

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Të fundit nga rubrika