Ndërmarrja publike “Trepça” ka ndëshkuar një punëtor me ulje të përkohshme të pagës, pasi ai është kapur duke fjetur gjatë orarit të punës.
Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar më 6 gusht në Facebook, Komisioni Disiplinor i ndërmarrjes ka mbajtur një shqyrtim publik lidhur me rastin e punëtorit A.A., ku është konstatuar se ai ka kryer një “shkelje të rëndë të detyrave të punës”, në përputhje me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.
Në vendimin e Komisionit thuhet se punëtori ka shkelur nenin që ndalon fjetjen në vendin e punës gjatë orarit zyrtar.
Fillimisht, Komisioni kishte propozuar masën disiplinore të uljes së pagës për 30 për qind, për një periudhë prej gjashtë muajsh. Por më 7 gusht, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës ka miratuar masën përfundimtare: ulje të pagës për 30 për qind, për pesë muaj.
Nga ndërmarrja është theksuar se ky vendim është marrë në përputhje të plotë me rregulloren në fuqi dhe ka për qëllim ruajtjen e disiplinës dhe përgjegjësisë në vendin e punës.