Trump: Aleatët kanë kontribuar mbi 7 miliardë dollarë për Gazën, Kosova e gatshme të dërgojë trupa

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendet aleate kanë kontribuuar 7 miliardë dollarë për ta ndihmuar Gazën, ndërsa Kosova është zotuar për të ndihmuar me trupa ushtarake.

Duke folur në takimin e parë të Bordit të Paqes të enjten në Uashington, Trump tha se vende si Shqipëria, Kosova dhe Kazakistani janë zotuar se do të dërgojnë trupa për ta stabilizuar Gazën.

Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Kosova është ndër anëtaret themeluese.

Bordi i Paqes, me 27 anëtarë, u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka autorizuar këtë trup që të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe të angazhohet në aspektin e qeverisjes dhe rindërtimit.

Themelimi i Bordit është paraparë në planin 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë.

Ky plan u pranua tetorin e kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera – për t’iu dhënë fund luftimeve dyvjeçare.

Kontributi i Kosovës

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se shtetit nuk i është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh.

Thuhet se për t’u bërë anëtar i përhershëm, një vend duhet ta paguajë një shumë prej 1 miliard dollarësh.

Ndërkohë, më herët, autoritetet në Kosovë konfirmuan se janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të mund të kontribuojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tregoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë forcë vjen pas pjesëmarrjes në një konferencë në Doha të Katarit në dhjetorin e vitit paraprak, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka thënë Radios Evropa e Lirë se konferenca në Katar ka pasur karakter informues lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe se Kosova është ftuar të marrë pjesë nga ushtria amerikane.

Hollësi për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që ka mandat të Kombeve të Bashkuara, nuk janë bërë publike, por ajo besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se komandat i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë, Jasper Jeffer, komandant amerikan i operacioneve speciale.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mbi 60.000 njerëz të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore./REL

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika