Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fajësuar demokratët e Senatit për mbylljen e qeverisë, e cila tashmë ka hyrë në ditën e 31-të. Ai deklaroi se është i gatshëm të takohet me përfaqësuesit demokratë, por vetëm pasi ata të bien dakord për ta rihapur qeverinë.
“Mbyllja e qeverisë vazhdon sepse demokratët thjesht nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Nuk e di se çfarë nuk shkon me ta. Ata janë bërë të çmendur”, tha Trump gjatë një deklarate për gazetarët në Florida.
Presidenti shtoi se “gjithçka mund të zgjidhet shumë lehtë”, duke theksuar se disa demokratë tashmë kanë votuar për projektligjin e propozuar nga republikanët. Ai theksoi se republikanët janë të bashkuar dhe apeloi që edhe pesë demokratë të tjerë t’u bashkohen për të rihapur qeverinë.
Ndërkohë, Senati dështoi për të 13-tën herë të miratojë projektligjin e financimit të mbështetur nga republikanët, pasi nuk arriti të siguronte shumicën prej 60 votash të nevojshme për ta çuar përpara.
Mbyllja e qeverisë, e cila filloi më 1 tetor pas dështimit të negociatave mbi prioritetet e shpenzimeve federale, është tashmë e dyta më e gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.