Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar rritjen e tarifave doganore ndaj importeve nga Koreja e Jugut në 25%, duke akuzuar Seulin se nuk po e zbaton marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se tarifat do të rriten nga 15% në 25% për një gamë të gjerë produktesh, përfshirë automjetet, drurin, barnat farmaceutike dhe produkte të tjera që ai i quajti “tarifa reciproke”.
Trump deklaroi se parlamenti i Koresë së Jugut ka qenë i ngadalshëm në miratimin e marrëveshjes, ndërsa SHBA-të, sipas tij, kanë vepruar shpejt për të ulur tarifat në përputhje me marrëveshjen e arritur, raporton BBC.
Nga ana tjetër, autoritetet koreano-jugore thanë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar për rritjen e tarifave dhe kërkuan bisedime urgjente me Uashingtonin. Ministria e Industrisë e Koresë së Jugut bëri të ditur se ministri Kim Jung-kwan, i cili ndodhet aktualisht në Kanada, do të udhëtojë sa më shpejt në SHBA për t’u takuar me Sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick.
Pas lajmit, indeksi kryesor i bursës në Seul, Kospi, shënoi rënie gjatë orëve të para të së martës, por më vonë u rikuperua dhe u rrit me rreth 1.8%, teksa aksionet e eksportuesve kryesorë rimorën vlerën.
Seuli dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje tregtare në tetor të vitit të kaluar, e cila përfshinte angazhimin e Koresë së Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në SHBA, përfshirë sektorin e ndërtimit të anijeve. Një muaj më vonë, të dy vendet ranë dakord që SHBA-të të ulnin disa tarifa pasi Koreja e Jugut të niste procedurat për miratimin e marrëveshjes.
Marrëveshja u dorëzua në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut më 26 nëntor dhe aktualisht është në shqyrtim. Mediat lokale raportojnë se ajo pritet të miratohet në muajin shkurt.
Tarifat doganore paguhen nga kompanitë importuese, që do të thotë se firmat amerikane do të duhet të paguajnë një taksë prej 25% për mallrat që blejnë nga Koreja e Jugut.
Trump ka përdorur shpesh tarifat si mjet presioni në politikën e jashtme gjatë mandatit të tij të dytë.
Së fundmi, ai ka kërcënuar Kanadanë me tarifa 100% dhe ka paralajmëruar taksa ndaj disa vendeve të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar tensione me aleatët e SHBA-së.