Trump thotë se tarifat ndaj Evropës për Grenlandën “do t’i zbatoj 100%” – BE paralajmëron se do të mbrojë interesat e saj

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se do ta zbatojë “100%” kërcënimin për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për ta marrë nën kontroll Grenlandën.

Aleatët evropianë janë rreshtuar në mbështetje të sovranitetit të Grenlandës. Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka theksuar se presidenti amerikan nuk mund të kërcënojë për të fituar pronësinë mbi territorin gjysmë-autonom danez.

Edhe sekretarja britanike për Punë të Jashtme, Yvette Cooper, ka përsëritur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar se e ardhmja e Grenlandës duhet të vendoset “vetëm nga grenlandezët dhe Danimarka”.

Në një intervistë për NBC News, Trump nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake, duke u përgjigjur me “pa koment” kur u pyet nëse SHBA-ja do ta merrte Grenlandën me forcë.

Ai paralajmëroi gjithashtu tarifa prej 10% për të gjitha mallrat që hyjnë në SHBA nga Mbretëria e Bashkuar, duke filluar nga 1 shkurti, të cilat do të rriten në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje për blerjen e Grenlandës nga Danimarka.

Sipas Trump, të njëjtat masa do të aplikohen edhe ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës – të gjitha vende anëtare të NATO-s. I pyetur nëse do t’i zbatojë realisht këto tarifa, ai u shpreh prerë: “Do ta bëj, 100%”.

Presidenti amerikan kritikoi Evropën duke thënë se ajo duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë dhe jo te Grenlanda.

“Shihni çfarë u ka sjellë kjo Evropës,” tha ai.

Danimarka ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak amerikan në Grenlandë do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Ditët e fundit, disa vende evropiane kanë dërguar trupa simbolike në Grenlandë në shenjë mbështetjeje, një veprim që u pasua menjëherë nga njoftimi i Trump për tarifa ndaj tetë vendeve aleate.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se kërcënimet me tarifa “nuk janë rruga e duhur” dhe se ka “vija të kuqe që nuk mund të kapërcehen”.

“Nuk mund të kërcënosh për të marrë pronësinë e Grenlandës,” tha ai për Sky News.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca do të vazhdojë bashkëpunimin me Danimarkën dhe Grenlandën për sigurinë në Arktik.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian do të mbajë një samit urgjent në Bruksel, ku liderët do të diskutojnë përgjigjen ndaj kërcënimeve të Trump.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se blloku “nuk kërkon konflikt, por do ta mbrojë qëndrimin e tij”, duke shtuar se “sovraniteti nuk është objekt tregtie”.

Në të njëjtën kohë, janë publikuar mesazhe mes Trump dhe kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Store, ku presidenti amerikan e fajëson Norvegjinë për faktin që nuk ka fituar Çmimin Nobel për Paqe. Store i sqaroi se çmimi jepet nga një komitet i pavarur, jo nga qeveria norvegjeze, dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Norvegjisë për sovranitetin danez mbi Grenlandën.

Trump, megjithatë, këmbënguli se Norvegjia “e kontrollon plotësisht” Çmimin Nobel, pavarësisht mohimeve zyrtare, raporton BBC.

Ndërkohë, Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) njoftoi të hënën se disa avionë janë nisur drejt Bazës Hapësinore Pituffik në Grenlandë.

Kjo organizatë e përbashkët ushtarake e SHBA-së dhe Kanadasë theksoi se bëhet fjalë për një operacion rutinë, i cili synon të mbështesë aktivitete të ndryshme të NORAD-it të planifikuara prej kohësh.
Sipas njoftimit, operacioni është koordinuar me Danimarkën dhe autoritetet e Grenlandës janë vënë në dijeni.

Veprime të ngjashme të NORAD-it në këtë bazë janë zhvilluar edhe në vitet 2022, 2023 dhe vitin e kaluar.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

BE: Kosova e 13-ta në botë për siguri strategjike, Mali...

Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më...

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

Të fundit nga rubrika