Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të “pozicionohen në rajonet e duhura” në përgjigje të komenteve “tejet provokuese” të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev.
Siç transmeton BBC, Trump tha se ky veprim ishte i duhur për të shmangur tensionet e mundshme.
“Veprova në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste”, ka deklaruar Trump.
Por ky i fundit nuk bëri të ditur se ku po dislokoheshin dy nëndetëset, në përputhje me protokollin ushtarak amerikan.
Medvedev kohët e fundit ka kërcënuar SHBA-në në përgjigje të ultimatumeve të Trump ndaj Moskës për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë ose për t’u përballur me sanksione të ashpra.
Rusia dhe SHBA-të zotërojnë më shumë armë bërthamore në botë, dhe të dyja vendet kanë një flotë nëndetësesh bërthamore.
Por Trump, nuk bëri të ditur se cilave nëndetësve po iu referohej, atyre me energji bërthamore apo atyre të armatosura me armë bërthamore.
Duke folur me gazetarët më vonë po atë ditë, Trump tha: “U bë një kërcënim dhe ne nuk menduam se ishte i përshtatshëm. Kështu që duhet të jem shumë i kujdesshëm.”
“Unë e bëj këtë për shkak të sigurisë së popullit tonë. Një kërcënim u bë nga një ish-president i Rusisë. Dhe ne do ta mbrojmë popullin tonë.”, ka deklaruar Trump.
Në ndërkohë, ende nuk ka pasur ndonjë koment publik nga ana e Kremlinit lidhur me këtë çështje.