Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka reaguar ndaj gjyqit të gjatë për korrupsion ndaj aleatit të tij, Benjamin Netanyahu, duke kërkuar anulimin e tij, raporton Agjencia France-Presse (AFP).
“Bibi dhe unë kaluam së bashku një ferr, duke luftuar një armik shumë të fortë dhe të zgjuar prej kohësh të Izraelit, Iranin, dhe Bibi nuk mund të kishte qenë më i mirë, më i mprehtë apo më i fortë në DASHURINË e tij për Tokën e Shenjtë të pabesueshme”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetet sociale të mërkurën në mbrëmje.
Trump, i cili edhe vetë është përballuar me akuza penale që i ka quajtur të motivuara politikisht, ka theksuar se sapo kishte mësuar se Netanyahu do të paraqitej në gjyq të hënën dhe sugjeroi që të falet “heroi i madh”.
“Ishte SHBA-ja që shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahu”, ka shtuar ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Netanyahu u bë kryeministri i parë izraelit që doli në dëshmi si i akuzuar në një proces penal për korrupsion.
Ai i cilësoi akuzat si një “oqean absurditeti”.
Netanyahu akuzohet për mashtrim, shkelje besimi dhe marrje ryshfeti në tri raste të ndara.
Ai dyshohet se ka pranuar dhurata luksoze si cigare dhe shampanjë nga një miliarder i Hollivudit në këmbim të favorizimit të interesave të tij personale dhe biznesore, si dhe për promovimin e rregullave të favorshme për mediat në këmbim të mbulimit pozitiv për vete dhe familjen.
Kryeministri mohon çdo faj dhe e quan procesin një “gjueti shtrigash” të orkestruar nga media dhe sistemi i drejtësisë me anësi politike, që synon rrëzimin e tij.
Procesi gjyqësor i Netanyahut është shtyrë disa herë që prej fillimit në maj 2020, ndërsa kryeministri ka kërkuar shtyrje për shkak të luftës në Gaza dhe më pas konfliktit në Liban.
Ende nuk është përcaktuar data e seancës tjetër gjyqësore./The Guardian