Trumpi synon marrëveshje për Gazën “së shpejti”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për ta siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Paraprakisht, Trumpi tha se po e paralajmëronte “për herë të fundit” Hamasin që t’i pranojë kushtet e marrëveshjes.

Duke folur për gazetarë pasi mbërriti në Uashingtonin të dielën mbrëma pas një udhëtimi të shkurtër në Nju Jork, Trump tha se e kishte diskutuar marrëveshjen në avion.

“Ne po punojmë për një zgjidhje që mund të jetë shumë e mirë”, tha ai.

Ai nuk pranoi të jepte më shumë hollësi, por shtoi se “do të dëgjoni për të shumë shpejt”.

“Po përpiqemi ta përfundojmë këtë, t’i kthejmë pengjet”, theksoi ai.

Më herët të dielën, ai e paralajmëroi Hamasin që t’i pranonte kushtet e marrëveshjes, pa dhënë ndonjë shpjegim.

“Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia. Është koha që Hamasi t’i pranojë gjithashtu”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër!”

Hamasi tha më vonë se i kishte pranuar disa ide nga pala amerikane përmes ndërmjetësve, për ta arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë, dhe se po shtjellonte mënyrat për t’i zhvilluar ato ide.

As Hamasi nuk dha hollësi për marrëveshjen e mundshme.

Në deklaratën e tij, Hamasi përsëriti gjithashtu gatishmërinë për bisedime për lirimin e të gjithë pengjeve në këmbim që “lufta të shpallet shumë qartë e përfunduar” dhe që forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga toka palestineze.

Trump u tha gazetarëve se mendon se të gjitha pengjet do të kthehen.

“Mendoj se do t’i marrim të gjithë”, tha ai.

Ai theksoi se disa mund të kenë vdekur tashmë, por se synimi është kthimi i trupave të tyre.

Të shtunën, N12 News e Izraelit raportoi se Trumpi ia ka paraqitur një propozim të ri për armëpushim Hamasit.

Sipas marrëveshjes, Hamasi do t’i lironte të gjithë 48 pengjet e mbetura në ditën e parë të armëpushimit në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite dhe do të negocionte përfundimin e luftës gjatë një armëpushimi në enklavë, raportoi N12.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli po e “shqyrton seriozisht” propozimin e Trumpit, por nuk dha më shumë hollësi.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe mori rreth 250 pengje, sipas shifrave izraelite.

Prej atëherë, më shumë se 64.000 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila është pjesë e qeverisjes së Hamasit dhe e përbërë nga profesionistë mjekësorë./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika