Turqia ka organizuar një ceremoni ushtarake nderimi për një grup zyrtarësh libianë, përfshirë shefin e Shtabit të Ushtrisë së Libisë, gjeneralin Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, të cilët humbën jetën në një aksident ajror mbi territorin turk në fillim të kësaj jave.
Ceremonia u mbajt të dielën në bazën ajrore Murted, pranë kryeqytetit Ankara, dhe nderoi al-Haddad si dhe katër oficerë të tjerë ushtarakë, të cilët ndodheshin në Turqi për bisedime të nivelit të lartë në fushën e mbrojtjes, para se avioni i tyre të rrëzohej të martën, shkruan Aljazeera, transmeton Dukagjini.
Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, Selcuk Bayraktaroglu, si dhe ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler. Pas ceremonisë, trupat e viktimave do të dërgohen në Libi, ku do të zhvillohet një funeral zyrtar shtetëror.
Avioni që transportonte delegacionin libian u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga Ankaraja, për shkak të një defekti teknik, sipas autoriteteve libiane. Të gjithë personat në bord, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit, humbën jetën.
Gjenerali al-Haddad, oficeri më i lartë ushtarak i Libisë, ishte një figurë kyçe në përpjekjet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për bashkimin e forcave të armatosura të vendit, të ndara prej vitesh nga konflikti. Vdekja e tij shkaktoi reagime dhe ngushëllime edhe nga palë rivale politike dhe ushtarake.
“Al-Haddad ishte një lider i fortë dhe karizmatik, i cili gjithmonë kërkonte paqen në vend,” raportoi për Al Jazeera gazetari Malik Traina nga qyteti i lindjes së al-Haddadit, Misrata. “Ai ishte një njeri i paqes, i respektuar në të gjithë Libinë, edhe nga ata kundër të cilëve kishte luftuar.”
Ngushëllime shprehu edhe Khalifa Haftar, kreu i administratës rivale në lindje të Libisë, forcat e të cilit al-Haddad i kishte kundërshtuar gjatë ofensivës së vitit 2019 ndaj Libisë perëndimore.
Në një deklaratë, Haftar shprehu “dhimbje të thellë për këtë humbje tragjike” dhe i dërgoi ngushëllime familjes së al-Haddadit, fisit dhe qytetit të tij, si dhe mbarë popullit libian.
Shefi i ushtrisë së Libisë humb jetën në një aksident ajror pas një vizite zyrtare në Turqi