Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në takim joformal në Tiranë

Në Tiranë do të zhvillohet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në përgatitje të samitit të Procesit të Berlinit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar këtë takim dhe në të pritet të marrë pjesë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli. Megjithatë, në këtë takim nuk pritet të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë.

I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.

Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka rritur tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Raportohet se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou.

Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiq./REL

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika