Ukraina ka nxitur Kinën që të ushtrojë presion mbi Vladimir Putinin për të ecur drejt paqes, ndërsa presidenti rus mbërriti në Pekin pas pjesëmarrjes së tij në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku ai mbrojti luftën që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz.
“Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm gjeopolitik të Republikës Popullore të Kinës, ne do të mirëprisnim një rol më aktiv [të Pekinit] në sjelljen e paqes në Ukrainë mbi bazën e respektimit të Kartës së OKB-së”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë, teksa Putin mbërriti në kryeqytetin kinez më 2 shtator.
Deklarata e ministrisë vuri në dukje se deklarata përfundimtare e SCO-së shmangu çdo përmendje të konfliktit, i cili është shndërruar në një luftë të shkallës së plotë që prej pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
“Ne e konsiderojmë domethënëse që dokumenti kryesor përfundimtar i samitit, Deklarata e Tianxhinit prej 20 faqesh, nuk përmban asnjë përmendje të luftës ruse kundër Ukrainës”, tha deklarata.
“Është befasuese që lufta më e madhe e agresionit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk u pasqyrua në një dokument kaq të rëndësishëm e themelor, ndërkohë që aty përmenden një sërë luftërash të tjera, sulmesh terroriste dhe ngjarjesh në botë”.
Në deklaratë thuhej se mospërmendja e luftës së Rusisë në Ukrainë në deklaratë “tregon dështimin e përpjekjeve diplomatike të Moskës”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje vazhdimisht që Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, të ushtrojë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës.
Një tjetër ngjarje diplomatike e nivelit të lartë në Kinë do të mbahet më 3 shtator: një paradë e madhe ushtarake që përkujton 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shumë liderë, përfshirë Putinin, po qëndrojnë në Kinë pas samitit të SCO-së për të marrë pjesë në paradë.
Në samitin e SCO-së në Tianxhin, pranë Pekinit, Putin dërgoi një mesazh sfidues kundër Perëndimit për pushtimin e tij të Ukrainës, pasi qëndroi krah për krah me liderin kinez, Xi Jinping.
Putin tha se lufta në Ukrainë erdhi “jo si rezultat i një sulmi rus”, por për shkak të një grushti shteti të mbështetur nga Perëndimi në Kiev, sipas komenteve të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve TASS.
Kjo ishte një referencë e pasaktë ndaj protestave të Maidanit, që rrëzuan nga pushteti presidentin ukrainas pro-Moskës, Viktor Yanukovych, në vitin 2014, pasi ai hoqi dorë nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe u kthye nga Rusia.
Putin shtoi se përpjekjet e Perëndimit për ta tërhequr Ukrainën drejt NATO-s përbënin një “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë”, një pretendim që aleanca ushtarake e ka mohuar në mënyrë të përsëritur./RadioEvropaeLirë