Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, së bashku me kandidaten për Asamble Komunale, Albana Tuli Gjonbalaj, kanë mbajtur sot një konferencë për media në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” me Rrugën B, pikërisht pranë një hapësirë për autobusë ku mungon pritorja dhe ku qytetarët detyrohen të presin çdo ditë në kushte të papërshtatshme.
Uran Ismaili para mediave foli për 5 zgjidhjet e tij për Prishtinën funksionale, ku veçmas u ndal tek një nga pesë zgjidhjet kryesore të programit të tij – zhbllokimi i trafikut brenda 18 muajve dhe transport publik falas për qytetarët.
Ai tha se realiteti i sotëm nuk mund të vazhdojë më, pasi qytetarët humbin orë të tëra në kolona, ndërkohë që transporti publik aktualisht është joefikas dhe i pamjaftueshëm për të gjitha lagjet e Prishtinës.
“Brenda 18 muajve, Prishtina do të lëvizë ndryshe. Në fund të mandatit tim, qytetarët do të na matin me rezultatet që i shohin çdo ditë në rrugët e qytetit. Sepse nuk kemi qytet tjetër – kemi vetëm një Prishtinë dhe është koha ta bëjmë atë të funksionojë siç duhet,” tha ai.
Ismaili ishte i shoqëruar nga një grup i kandidatëve për Asamble të Prishtinës, ku në fjalën e saj, njëra nga kandidatet, Albania Tuli Gjonbalaj foli nga perspektiva e një nëne dhe qytetareje të Prishtinës, duke përshkruar vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë gratë dhe familjet në përdorimin e transportit publik dhe në jetën e përditshme në kryeqytet.
Ajo theksoi se vendimi i saj për t’iu bashkuar Uran Ismailit lidhet me faktin se ai ofron zgjidhje konkrete, të matshme dhe të domosdoshme për qytetarët e Prishtinës.
“Si një nënë në radhë të parë, si qytetare e Prishtinës do të flasë për përvojën time dhe të shumë nënave e grave të Prishtinës në përballjen e mundimshme ditore me transportin publik në kryeqytet. Si një grua që po garojë për herë të parë për Asamble të Prishtinës, i jam bashkuar në këto zgjedhje Uranit sepse ai po ofron zgjidhje për probleme të vogla, por emergjente dhe të matshme. Një kryetar që nuk premton mrekulli por qysh me na e bo jetën më të mirë! Një kryetar që nuk ka ego dhe as inate kur është në pyetje Prishtina. Pra një kryetar që punon” ka thënë ajo.
Zgjidhjet kryesore të Uran Ismailit për Prishtinën janë:
– Shtimin e 100 autobusëve të rinj me emetime të ulëta, për mbulim 100% të lagjeve të Prishtinës;
– Krijimin e korsive të dedikuara për autobusë, me interval qarkullimi çdo 7 minuta;
– Ndërtimin dhe rinovimin e stacioneve me ulëse, ndriçim dhe tabela dixhitale;
– Mundësimin që transporti publik të funksionojë 24 orë gjatë fundjavës;
– Ofrimin e transportit publik falas përmes kartës “Prishtina 24/7” deri në fund të mandatit;
– Hapjen e sheshit “Xhorxh Bush” për të ndalur eksperimentet e deritanishme;
– Shtimin e 60 semaforëve të rinj dhe ndërtimin e një Qendre moderne të kontrollit të trafikut;
– Ndërtimin e 5 qendrave Park & Ride në hyrjet kryesore të qytetit.
Video e konferencës: https://we.tl/t-lxIRtAfKbC