Ushtria Çlirimtare e Kosovës “nuk kishte hierarki ushtarake moderne”, u tha në gjyq

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari, Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, tha se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Ish-oficeri i Ushtrisë Britanike, Douglas Young tha në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të mërkurën dhe të enjten se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmitari e bëri këtë deklarim, duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Mishetiq.

Avokati Mishetiq i lexoi një pjesë të raportit të OSBE-së ku ishin përmendur vështirësitë e monitorimit për shkak të detajeve jo të mjaftueshme për strukturën e UÇK-së në fund të shkurtit 1999.

Young i tha gjykatës të enjten se nuk kanë pasur detaje konkrete siç kanë pasur për forcat serbe, ndonëse nuk ishte edhe pa asnjë informacion, duke shtuar se po punonin për të mbledhur sa më shumë informacione në interes të paqes dhe në interes të vet UÇK-së, shkruan Balkan Insight.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Dëshmitari shërbeu si nënkolonel rezervist në Ushtrinë Britanike dhe në vitet 1998-1999 ai u vendos si pjesë e misionit të vëzhguesve diplomatikë të OSBE-së në Kosovë.

Young u largua nga Kosova në mars 1999 para se të fillonin bombardimet e NATO-s në Jugosllavi, të cilat i dhanë fund luftës. Ai u kthye disa vite më vonë, duke shërbyer me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga viti 2001 deri në prill 2002.

Të mërkurën, Young tha në gjykatë se UÇK-ja “nuk mund të krahasohet, për shembull, me një ushtri moderne që kontrollon territorin e saj”.

Ai i përshkroi luftëtarët e UÇK-së si me “karakter të fortë kombëtar dhe ndjenja patriotike” dhe tha për vetë forcën guerile: “Ishte një organizatë e disiplinuar, me njerëz të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe për të ardhmes.”

Gjyqi do të vazhdojë më 25 shtator.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika