Ushtria ukrainase thotë se trupat ruse u tërhoqën rreth Bahmutit

Bakhmut, Ukrainë
Bakhmut, Ukrainë

Ukraina thotë se forcat e saj kanë ndalur me sukses një sërë sulmesh në qytetin e Bahmutit, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen në pjesë të qytetit lindor, derisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se trupat ukrainase do të rimarrin çdo pjesë të tokës së pushtuar nga Rusia.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në përditësimin e tij të përditshëm, më 11 maj, se mbrojtësit ukrainas kishin zmbrapsur 39 sulme ruse në vijën e frontit Bahmut-Avdivka-Marinka gjatë 24 orëve të fundit.

Gjenerali ukrainas, Oleksandr Syrskiy, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se forcat ruse ishin tërhequr deri në 2 kilometra në disa zona të Bahmutit.

Ai shtoi se operacionet efektive të mbrojtjes së Ukrainës në Bahmut kishin luftuar trupat mercenare Wagner, duke detyruar zëvendësimin e tyre me trupa të rregullta më pak të trajnuara, të cilat u mundën dhe u detyruan të largoheshin, shkruan REL.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit privat mercenar rus Wagner, pohoi se disa kilometra nga territori i vijës së parë u humbën pasi forcat e rregullta të ushtrisë ruse u larguan përballë luftimeve të ashpra në Bahmut. Prigozhin ka thënë se grupi i tij pësoi humbje prej rreth 500 burrash.

Gjenerali ukrainas, Oleksandr Syrskiy, konfirmoi se forcat ruse ishin tërhequr deri në 2 kilometra në disa zona, me trupat mercenare të Wagner-it që u “mposhtën nga operacionet efektive të mbrojtjes”.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një deklaratë të një brigade të Ukrainës ku thoshte: “Është zyrtare. Raporti i Prigozhinit në lidhje ‘500 kufomat’ e rusëve është i vërtetë.”

Më vete, Andriy Biletskiy, një komandant i një grupi taktik ukrainas, tha se dy kompani të një brigade ruse u “shkatërruan plotësisht” në Bahmut.

Në fund të 10 majit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se operacioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës është “shumë i vështirë”, por tha se disa qëllime janë arritur.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur as pretendimet ukrainase, e as ato ruse.

Zelensky, në fjalimin e tij të 10 majit, u zotua se nuk do të ndalet derisa e gjithë Ukraina të çlirohet.

“Ne nuk harrojmë për asnjë minutë se çdo ditë e pranisë së okupatorit në tokën tonë është një tundim që ai të mendojë se do t’ia dalë”, tha Zelensky.

“Ai nuk do të ketë sukses në asgjë. Ne duhet t’ia kthejmë Ukrainës lirinë, sigurinë dhe të rikthehet në Evropë. Ne do ta bëjmë këtë! Ne nuk do t’i lëmë armikut asnjë pjesë të tokës sonë — tirania nuk do të mbretërojë askund këtu”, tha ai.

Zelensky tha se Ukraina është në pritje të më shumë armëve perëndimore, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe dërgesa municionesh.

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika