Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka cilësuar si “përtej marrëzisë” faktin që Edona Lalloshi e LVV-së, ia përshtati një këngë shefit të partisë, Albin Kurti në një tubim me mërgimtarë në Zvicër.
Çitaku ka shkruar në Facebook, se kjo është edhe “e rrezikshme” për mentalitetin që tha se e promovon.
“Çfarë pamë nga tubimi i LVV-së në Zvicër ishte një nivel tjetër i marrëzisë. E di që është e vështirë të kontrollosh çdo veprim të mbështetësve. Ata mund të të shkruajnë këngë, të bëjnë tatuazhe, madje edhe të ngrenë shtatore. Edhe kjo është e dëmshme për shëndetin demokratik, por deri diku e kuptueshme, sepse nuk kontrollohet lehtë”, ka shkruar ajo.
“Por kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme. Jo për shkak të kualitetit të këngës, ai s’ka asnjë rëndësi, por për shkak të mentalitetit që promovon”, ka shkruar tutje Çitaku.