Një vizitë e zakonshme tek familja e tij në Kosovës është kthyer në ankth për ish-policin e Kosovës, Arbnor Spahiu.
Ai u ndalua nga autoritetet e Serbisë derisa po udhëtonte me autobus përmes këtij vendi drejt Kosovës.
Siç u bë e ditur nga autoritetet atje, Spahiu gjatë gjithë ditës u mor në pyetje nga prokurorët serb.
Avokati i tij, Arianit Koci ka një shpjegim për këtë. Ai e lidh rastin e arrestimit me dënimin e ditëve më parë të agjentit serb, Aleksandar Vllajiq, që e pranoi fajësinë dhe u dënua me burgim.
Sipas tij, tani Serbia krejt këto veprime po i bën në shenjë hakmarrje.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës tha se i kanë njoftuar misionet ndërkombëtare si në vend ashtu edhe në Serbi dhe kanë kërkuar edhe ndihmën e tyre.
Ajo pati një apel për qytetarët:
“Më lejoni që të bëj edhe një herë thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që, tani që po afrohet vera, kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe viteve të fundit” apeloi Gërvalla.
Sidomos në muajt e verës kur ka shumë më shumë qarkullim dhe ardhje të mërgimtarëve nga Evropa përmes rrugëve tokësore, Serbia i maltreton ata në formë të ndryshme, përfshirë ndalime e arrestime arbitrare.
Para pak ditësh gjithashtu e kishte ndaluar ish-deputetin Gramos Agusholli duke e marr në pyetje për orë të tëra por që ishte liruar në mbrëmje.
Edhe të tjerë kosovarë janë arrestuar ndër vite, shumë prej tyre edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, siç pretendon Serbia, për kryerje të krimeve të luftës.