Temperaturat mëngjesin e së hënës u ulën në minus, e për këtë mësimi në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan vazhdoi me orar të shkurtuar 30 minuta.
Edhe ndërrimi i pasdites që janë nxënësit e mjekësisë e vazhdojnë mësimin me gjysmë orari.
Situatë e njëjtë për shkak të mungesës së furnizimit me dru është edhe në gjimnazin natyror.
Drejtori i shkollës thotë se presin që situata të stabilizohet.
“Javën e parë kemi pasur probleme për dru nuk kena mjaftueshëm por skemi mungese, shpresojm që prap do të vijnë, sa i përket nxemjet edhe shkollës është hapsirë e madhe edhe problemin kryesor e kemi me dritaret që janë deformuar po kemi probleme”, ka thënë Bekim Mustafa – Drejtor i shkollës.
Ai thotë se në këtë shkollë nga pasditja synohet të kthehen në orar të rregullt, për shkak se temperaturat janë më të larta.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Gjilan që janë opozitë thonë se partia në pushtet ka dështuar për të bërë furnizimin me dru me kohë.
“Gjithashtu edhe në objekte të administratës komunale është alarmante në secilën zyre ka katër 5 nxemse dhe është një qoroditje totale e pushtetit komunal rreth menaxhimit të kësaj situate. E gjithë kjo mendojm se është si rezultat i harlisjes së kryetarit para zgjedhjeve që një vit bëri investime të paplanifikuara, shkeli kontratën kornizë”, ka thënë Fitim Guda- Asamblist i LDK-së.
Dukagjini ka pyetur për këtë çështje në Komunën e Gjilanit, por ata nuk janë përgjigjur.
Pyetjeve dhe interesimit të televizionit nuk i është përgjigjur as ushtruesi i drejtorit të Arsimit në Gjilan, Luan Kastrati.
