Sot duke filluar nga ora ora 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Të akuzuarit Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, ndodhen në paraburgim, njofton Dukagjini.
Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërkohë, ende nuk ka vendim nga kjo gjykatë për 42 të akuzuarit tjerë për këtë sulm, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, për të cilët prokuroria ka propozuar gjykim në mungesë.
Po ashtu kujtojmë se Kosova vazhdon të kërkojë ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve nga Serbia, ndërsa ata janë të shpallur në kërkim nga INTERPOL-i.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por pra vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
