Vdekja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, në një sulm të përbashkët amerikan-izraelit ka rritur presionin mbi klerikët iranianë për të vendosur se kush do ta pasojë atë.
Në këtë kontekst, emri i Hassan Khomeinit, nip i themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, po përmendet gjithnjë e më shpesh si figurë e mundshme në diskutimet për pasardhësin.
Hassan Khomeini, 53 vjeç, është më i njohuri ndër 15 nipërit dhe mbesat e ajatollahut të ndjerë dhe konsiderohet relativisht i moderuar brenda establishmentit fetar iranian. Ai mban një rol simbolik si kujdestar i mauzoleumit të gjyshit të tij në jug të Teheranit, por nuk ka mbajtur poste qeveritare, raporton Reuters.
Ai ka lidhje të afërta me reformistët, përfshirë ish-presidentët Mohammad Khatami dhe Hassan Rouhani, të cilët gjatë mandateve të tyre ndoqën politika afrimi me Perëndimin. Disa politikanë në Iran e kanë parë si rival të figurave më konservatore që fituan ndikim gjatë udhëheqjes së Khameneit, përfshirë djalin e këtij të fundit, Mojtaba Khamenei.
Debati për një pasardhës më të moderuar mori hov pas trazirave që përfshinë Iranin në fillim të vitit, si një mënyrë për të forcuar sistemin përballë pakënaqësive në rritje.
Gjatë viteve të fundit, Khomeini ka shfaqur qëndrime kritike ndaj disa vendimeve të autoriteteve. Në vitin 2021 ai kritikoi Këshillin e Gardianëve për përjashtimin e kandidatëve reformistë nga zgjedhjet presidenciale, gjë që çoi në fitoren e konservatorit Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në një aksident me helikopter në vitin 2024.
Ai gjithashtu kërkoi transparencë dhe përgjegjësi pas vdekjes së Mahsa Amini në vitin 2022, ngjarje që shkaktoi protesta mbarëkombëtare. Megjithatë, ai ka mbetur besnik ndaj sistemit të Republikës Islamike dhe ka dënuar protestat që shënjestronin drejtpërdrejt Khamenein.
Në një mesazh ngushëllimi pas vdekjes së Khameneit, ai e cilësoi atë si “hero të popullit iranian dhe myslimanëve”, duke theksuar se vendi do të vazhdojë në rrugën e përcaktuar nga themeluesi i Republikës Islamike.
Një mik i tij e ka përshkruar më herët si teolog me prirje progresive, sidomos për çështje si muzika, të drejtat e grave dhe liritë shoqërore. Ai ka mbështetur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila u negociua nga qeveria e Rouhanit dhe u anulua më pas nga presidenti amerikan Donald Trump në vitin 2018.
Hassan Khomeini ka folur hapur edhe për vështirësitë ekonomike të iranianëve si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, duke u pozicionuar si një figurë që kombinon besnikërinë ndaj sistemit me thirrje për reforma të brendshme.