Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kritikuar një gazetare dhe mediumin ku ajo punon lidhur me raportimin për vdekjen e një pacienteje me kancer, për të cilën ishte pretenduar se kishte ndërruar jetë për shkak të mungesës së barnave.
Gjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, ku po i përgjigjej deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, Vitia deklaroi se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedura përkatëse mjekësore. Sipas tij, lajmi ishte publikuar pa u konfirmuar nga shoqata që e kishte bërë fillimisht publik rastin dhe pa u kontaktuar institucionet shëndetësore.
“Më lejoni më së pari të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjarët dhe rrethin e së ndjerës, të dashur qytetarë, po ashtu më lejoni që në pika të shkurtra të tregoj se çfarë ndodhi mbrapa: një shoqatë e bën një status ku thotë që një paciente ka vdekur për shkak të mungesës së barnave. Klinika e onkologjisë bën përpjekje që të kontaktojë me këtë shoqatë, fillimisht e pamundur, pastaj një gazetare pa bërë asnjë verifikim të lajmit, kaq për konfirmime të shumta, pa bërë asnjë konfirmim të lajmit, as edhe ne paraqet menjëherë, bile edhe në lajmet qendrore të një mediumi. Paramendojeni të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura tjera për të qenë i qartë”, tha ai.
Ministri shprehu ngushëllime për familjen e pacientes së ndjerë, ndërsa tregoi se pas publikimit të njoftimit nga shoqata, Klinika e Onkologjisë ishte përpjekur të siguronte më shumë informacione për rastin.
Ai tha se përcaktimi i shkakut të vdekjes kërkon një proces të mirëfilltë mjekësor dhe se, sipas tij, një përfundim i tillë nuk mund të nxirret vetëm nga një publikim në rrjetet sociale.
“Nuk mundet as mjeku me konstatu shkakun e vdekjes në raste të tilla. Duhet një sërë procedurash për të dalë me konstatime, kurse gazetarja është i shihet jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë, dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status të cili ka qenë në Facebook. Pra, të jem i qartë edhe një herë, gazetarja nuk ka ndjekur asnjë procedurë të verifikimit të lajmit me shoqatën e as pyetje, domethënë as me shoqatën, pa as pyetje të tyre për institucionet. Si duket, ose e priret për më shumë klikime për të bërë lajm, ose ndoshta edhe është shtyer, nga dikush tjetër, që jam i sigurt që nuk do ta kishte bërë vetë lajm pa e verifikuar paraprakisht lajmin, qoftë me shoqatën, qoftë me institucionet, siç e pamë edhe sot, edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të qenë më keq, që folësja paraprake realisht ka dhe familjarë doktorë që i është dashur me ia tregu si përcaktohet shkaku i vdekjes”, deklaroi Vitia.
Vitia gjithashtu ngriti dyshime për mënyrën se si ishte trajtuar rasti në media, duke pretenduar se raportimi ishte bërë pa verifikimet e nevojshme.
Sipas ministrit, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, pasi kishte mbledhur informacionet për rastin, kishte publikuar një reagim zyrtar për të sqaruar situatën.
Megjithatë, Vitia kritikoi mediumin që fillimisht kishte raportuar për rastin, duke pretenduar se ai nuk e kishte publikuar reagimin e institucionit shëndetësor, ndryshe nga mediat e tjera që e kishin shpërndarë atë.
Deklaratat e ministrit u bënë në përgjigje të kritikave të deputetes Janina Ymeri lidhur me rastin e pacientes me kancer dhe çështjen e mungesës së barnave.