Krenare Vokshi, avokate e cila aktualisht është këshilltare e jashtme e kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka folur në FIVE rreth vendimit të ZRRE-së për hyrjen në treg të lirë të energjisë për bizneset.
Avokatja Vokshi ka deklaruar se Gjykata Komerciale, përmes aktgjykimit të saj të datës 29 korrik, e ka trajtuar me seriozitet të plotë çështjen e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë.
Sipas saj, gjykata jo vetëm që e ka pezulluar me efekt të menjëhershëm zbatimin e vendimit të ZRRE-së, por ka konstatuar gjithashtu se ky vendim ishte i kundërligjshëm si në përmbajtje, ashtu edhe në formë.
“Ajo që vlen të theksohet është se përmes këtij aktgjykimi është anuluar pika e katërt e vendimit të ZRRE-së që parashihte daljen automatike në treg të lirë”, ka thënë ajo.
“Moszbatimi i një aktgjykimi në këtë rast përbën vetë shkelje, pra është vepër penale. Pezullimi e ka efektin e menjëhershëm, që natyrisht duhet ta kenë parasysh të gjitha bizneset. Gjithashtu, për sa kohë që ky aktgjykim është në fuqi – sepse nuk është i përjetshëm, por për një kohë të caktuar – furnizuesit nuk mund të marrin masa penalizuese ndaj bizneseve që nuk e pranojnë furnizimin me çmimet e tregut. Kjo përfshin edhe ndalimin e çdo kërcënimi për ndërprerje të energjisë elektrike… pezullimi mbetet në fuqi”, ka thënë ndër të tjera Vokshi.