Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike nuk pritet të merret para 31 marsit, ani se tarifat e reja do të duhej të aplikoheshin nga 1 prilli.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur për Dukagjinin se është aktualisht në procesin e finalizimit të shqyrtimit të aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar, përfshirë KESCO, KEDS dhe KOSTT.
Pas finalizimit të këtij shqyrtimi, ZRRE do të përgatisë dhe do të publikojë Raportin Konsultativ, dhe pastaj do të hapë procesin e konsultimit publik dhe të marrë komentet nga të gjitha palët e interesit.
“Pasi të përfundojë periudha e konsultimit publik dhe të shqyrtohen të gjitha komentet e pranuara, pritet që të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes së Bordit do të njoftohet publikisht në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
