Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, ka deklaruar se ndryshimi i fundit në çmimin e biletës së autobusëve të Trafikut Urban lidhet vetëm me procesin e digjitalizimit dhe modernizimit të shërbimit, duke theksuar se rritja është minimale dhe nuk ka motive politike apo lidhje me çmimet e karburanteve.
Sipas tij, rritja prej 10 centësh është pjesë e një projekti më të gjerë që synon përmirësimin e sistemit të transportit publik dhe futjen e pagesës digjitale përmes kuletës elektronike.
“Vendimi për përditësimin e tarifave nuk lidhet me cikle politike apo fushata zgjedhore, as me rritjen e çmimeve të karburanteve. Jemi në një fazë të nevojshme të modernizimit të trafikut urban dhe digjitalizimit të shërbimit,” ka deklaruar Bajqinovci.
Ai shtoi se ky proces do të sjellë përmirësime në funksionimin e sistemit dhe ulje të pritjeve për qytetarët.
“Po tentojmë të favorizojmë digjitalizimin. Përveç rritjes prej 10 centësh, kuleta digjitale dhe sistemi i ri do të na mundësojnë shërbim më të mirë dhe nuk do të ketë pritje si më parë,” theksoi ai.
Megjithatë, rritja e tarifës ka ngritur pyetje për barrën që po u bie qytetarëve në një periudhë kur kostot e jetesës po rriten vazhdimisht.
Bajqinovci, megjithatë, këmbëngul se projekti në afatgjatë synon përmirësim të qëndrueshëm të shërbimit urban.