Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për kanosje ndaj një dëshmitari bashkëpunues në rastin penal të njohur si “Brezovica”.
Sipas Prokuroria Themelore në Ferizaj, i dyshuari me inicialet R.K., nga Komuna e Skenderajt, po hetohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2026, në një restorant në fshatin Uglar të Fushë Kosovës, ku i dyshuari dyshohet se ka kanosur seriozisht një person që ishte i pranishëm në një dasmë. Sipas prokurorisë, ai i është drejtuar të dëmtuarit me fjalë kërcënuese për jetën, me qëllim që ta frikësojë dhe ta pengojë në dhënien e dëshmisë në procesin gjyqësor për rastin “Brezovica”.
I dëmtuari në këtë rast është dëshmitar bashkëpunues në këtë çështje penale, e cila aktualisht është në shqyrtim në GjykatënThemelore në Pejë.
“Ndalohet një person i dyshuar që kanosi dëshmitarin bashkëpunues në çështjen penale “Brezovica”
Ferizaj, 23 Mars 2026– Prokuroria Themelore në Ferizaj,Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, të dyshuarin me iniciale R.K.,- Komuna Skenderaj, për shkak të dyshimit të veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” nga neni 387 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri R.K., më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar- Komuna -Fushë Kosovë, ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin i cili ishte i pranishëm në një dasëm, me fjalët “vetëm qenke me femijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan”, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” me qëllim të frikësimit të tij që të përmbahet nga dhënia e deklaratave në këtë çështje penale e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë.
Po ashtu, vlen të theksohet se personi i ndaluar R.K., ka qenë i pandehur në rastin “Brezovica”, për shkak të dyshimit të veprës penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëpërmendur, brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim.