Sonte më 12 shtator, Lëvizja Vetëvendosje ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale.
Kryetari i saj, Albin Kurti, nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, u bëri thirrje qytetarëve që të besojnë në vizionin e këtij subjekti për ta shtrirë modelin e qeverisjes qendrore edhe në nivelin komunal.
“Ndryshimi nuk mund të ndalet. Kundërshtarët kanë provuar ta pengojnë, por kanë dështuar dhe do të dështojnë sërish. Jo pse jemi të fortë, por sepse jemi të drejtë; jo pse jemi të ashpër, por sepse jemi të arsyeshëm. Ne duam një Kosovë që zhvillohet me drejtësi dhe funksionon për popullin e vet”, tha Kurti.
Ai u shpreh se qytetarët janë lodhur nga “komunat dembele” dhe se tash është momenti për modernizim, mirëqenie, pastërti dhe siguri.
“Paramendoni sa investime të mira do të bëheshin sikur qeverisjet lokale të udhëhiqeshin ashtu si qeverisja qendrore. Duam kryetarë që punojnë ditë e natë, e jo që ankohen orë e çast”, shtoi Kurti.
Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme lokale janë mundësia për të shtrirë qeverisjen e kujdesshme dhe të drejtë në çdo komunë të Kosovës.
Kurti gjithashtu lavdëroi kryetarët e komunave të udhëhequra nga Vetëvendosja, duke theksuar se puna e tyre shihet dhe nuk ka nevojë për shumë fjalë.
“Ne së bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe tendencat për ndarje. Do ta çlirojmë secilën komunë nga hajnia e partive të tjera. Subjekti që zhvillimin nuk e sheh te betoni i vrazhdët por te gjelbërimi. Ne kemi nevojë për kryetarë komunash që bashkëpunojnë me qeverinë. Shikoni arritjet në komunat ku ka drejtuar VV-ja. Prishtina që do të ketë për kryetar një nga ministrat më të suksesshëm që Kosova ka pasur ndonjëherë, Hajrullah Çekun”, tha Kurti.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq në komunat Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 12 tetor.