Të shtunën pasdite, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi verifikimin e votave për subjektet politike dhe numërimin e votave për kandidatët nga vendvotimet e rregullta.
Kësisoj pa votat me kusht, pa ato të personave me nevoja të veçanta dhe pa ato nga jashtë, Lëvizja Vetëvendosje ka 433 mijë e 882 vota apo 49.35%, Partia Demokratike 21.02% apo 184 mijë e 784 vota, Lidhja Demokratike 13.59% apo 119 mijë e 456 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.64% apo 49 mijë e 613 vota.
Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon i procesi u numërimit të votave nga jashtë.
Nga votat në 29 përfaqësi diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 87%, duke e çuar rezultatin e përmbledhur, deri tani, në 50%.
Ndërkaq, ka filluar numërimi i pakove të para të votave me postë – ku, po ashtu, partia në pushtet prin me rezultat të thellë.
Rreth 58 mijë shtetas ishin regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa ende nuk janë tërhequr të gjitha pakot me fletëvotime.
“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.”- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Të pa-numëruara janë edhe afër 10 mijë vota me kusht dhe më shumë se 2 mijë të tjera të personave me nevoja të veçanta.