Videoja e abuzimit ndaj palestinezit çon në arrestimin e ish-gjenerales izraelite

Ish-këshilltarja e lartë ligjore e ushtrisë izraelite, gjeneralmajorja Yifat Tomer-Yerushalmi, është arrestuar teksa përplasjet politike në Izrael po thellohen pas publikimit të një videoje që tregon dhunë të rëndë ndaj një të burgosuri palestinez nga ushtarë izraelitë.

Tomer-Yerushalmi, e cila javën e kaluar dha dorëheqje nga posti i Avokates Ushtarake të Përgjithshme të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), kishte deklaruar se merrte përgjegjësi të plotë për rrjedhjen e materialit.

Të dielën, mediat izraelite raportuan se ajo ishte shpallur e zhdukur, duke shkaktuar shqetësim në opinion. Pas disa orësh kërkime në një plazh në veri të Tel Avivit, policia njoftoi se ajo ishte gjetur “shëndoshë e mirë”, por më pas u arrestua.

Ngjarja lidhet me një video të publikuar në gusht 2024 nga një kanal izraelit, ku shihen ushtarë rezervistë në bazën ushtarake Sde Teiman, në jug të Izraelit, duke e marrë mënjanë një të burgosur palestinez dhe më pas duke e rrethuar me mburoja për t’ia fshehur trupin kamerave, teksa ai dyshohet se është rrahur dhe therur me një objekt të mprehtë në pjesën e pasme.

I burgosuri është trajtuar më pas për lëndime të rënda. Pesë ushtarë rezervistë janë akuzuar për abuzim të rëndë dhe shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore. Ata i kanë mohuar akuzat dhe nuk janë bërë publikisht të njohur me emra.

Katër prej tyre, të maskuar me balaklava të zeza, dolën të dielën në një konferencë për media jashtë Gjykatës së Lartë në Jerusalem, së bashku me avokatët e tyre, duke kërkuar që gjyqi të pushohet.

Avokati i tyre, Adi Keidar nga organizata e djathtë “Honenu”, tha se klientët e tij po përballen me “një proces të gabuar, të njëanshëm dhe të manipuluar plotësisht”.

Pas nisjes së hetimeve për rrjedhjen e videos, Tomer-Yerushalmi u pezullua nga detyra, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të premten se ajo nuk do të kthehej më në post. Pak orë më vonë, ajo dha dorëheqjen.

Në letrën e saj të dorëheqjes, gjeneralja tha se kishte miratuar publikimin e materialit për të kundërshtuar “propagandën e rreme kundër autoriteteve ligjore të ushtrisë”.
“Është detyra jonë të hetojmë sa herë që ka dyshime të arsyeshme për dhunë ndaj të burgosurve,” ka shkruar ajo.

Ministri Katz reagoi ashpër, duke thënë se “çdokush që përhap shpifje kundër trupave të IDF-së nuk është i denjë të mbajë uniformën e ushtrisë”.
Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu e mbështeti këtë qëndrim, duke e quajtur incidentin në Sde Teiman “ndoshta sulmin më të rëndë propagandistik që ka përjetuar shteti i Izraelit që nga themelimi i tij”.

Pak orë pas deklaratës së Netanyahut, në mediat izraelite u raportua se gjeneralja ishte zhdukur, duke nxitur frikë se skandali politik mund të kishte marrë përmasa tragjike.

Policia njoftoi më vonë se kishte arrestuar dy persona për “rrjedhje informacioni dhe vepra të tjera të rënda penale” – mes tyre edhe gjeneralmajoren Tomer-Yerushalmi dhe ish-prokurorin ushtarak, kolonelin Matan Solomosh.

Ngjarja në Sde Teiman ka ndezur përçarje të forta politike në Izrael.
E djathta e ka cilësuar rrjedhjen e videos si “një akt tradhtie ndaj ushtrisë izraelite”, ndërsa e majta e sheh si një dëshmi të qartë të abuzimeve të vazhdueshme ndaj të burgosurve palestinezë që nga sulmet e 7 tetorit 2023.

Një raport i Komisionit Hetimor të OKB-së në tetor 2024 kishte akuzuar Izraelin për “abuzime të përhapura e sistematike ndaj mijëra të ndaluarve nga Gaza”, duke përfshirë “dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Qeveria izraelite i ka mohuar akuzat, duke thënë se “është plotësisht e përkushtuar ndaj standardeve ndërkombëtare ligjore” dhe se “ka zhvilluar hetime të plota për çdo ankesë”./BBC

Shija e redaktorit

Rama e Çeku përballen më 6 nëntor për Prishtinën në...

Të enjten, studio e “Debat Plus” në TV Dukagjin do të jetë nikoqire e debatit vendimtar për garën për Prishtinën në raundin e dytë...

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Të fundit nga rubrika