Viti 2022 – sfidues për Klinikën e Onkologjisë, rastet me kancer të gjirit shënojnë rritje për afro 20%

Kanceri i gjirit është duke e zënë vendin e parë prej tumoreve në përgjithësi në Kosovë. Deri në muajin nëntor të vitit 2022, kanceri i gjirit ka prekur 383 pacientë, ku më së shumti dominon te gratë. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se viti 2022 ka qenë sfidues, pasi ka pasur rritje të rasteve me kancer të gjirit deri në 20%, më shumë se në vitin e kaluar

Ilustrim

Një mijë e 511.

Kaq ishte numri i të prekurve me kancer të evidentuar nga Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në muajin nëntor të vitit që lamë pas.

Nga ky numër, me kancer gjiri janë 383 të prekur, për të vazhduar me patologjitë e tjera, ku dominon më shumë te femrat, ndërsa kanceri i mushkërive dominon më shumë te meshkujt.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi, për Portalin Dukagjini, ka bërë të ditur se paraqitja e rasteve në këtë klinikë është në stade të ndryshme të sëmundjes, por siç thotë ai, akoma dominojnë stadet e avancuara me një tendence përmirësimi, sidomos të atyre me kancer gjiri.

Arben Bislimi, drejtor i Onkologjisë

“Kanceri i gjirit si sëmundje ka shënuar një rritje prej 15-20 për qind, në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka theksuar se në rritjen e këtyre rasteve kanë ndikuar faktorët relevantë si vonesa e kontrollit në klinika.

Se sa sfiduese është menaxhimi i këtyre sëmundjeve malinje, Bislimi thotë se duke e pasur parasysh koston e lartë të trajtimit, ndjeshmërinë dhe seriozitetin e sëmundjes, kur kësaj i shtohet edhe mungesa periodike, deficiti i stafit infermieror bëhet edhe më i vështirë.

“Mjaft sfidues është edhe mungesa e një qendre paliative në nivel vendi, gjë e cila ngarkon kapacitetet tona të punës me pacientë që janë për trajtim specifik onkologjik”.

I pyetur se si janë kushtet për trajtimin e pacientëve në këtë klinikë, Bislimi ka theksuar se Klinika e Onkologjisë posedon dy reparte, atë të Kimioterapisë dhe Radioterapisë, në të cilat gjatë ditës marrin shërbime në planin ditor rreth 350 pacientë.

“Kemi funksionalizuar konziliumet mjekësore multidisiplinare, pastaj kemi arritur të përgatisim protokollet e trajtimit të standardizuara për disa sisteme të mëdha, kemi futur në sistem kartelizimin e pacientëve të rinj, si parapërgatitje për digjitalizim final të shërbimeve në kliniken tonë”, ka vijuar Bislimi.

Se çfarë pritet të avancohet në këtë vit në këtë klinikë, Bislimi ka thënë se pretendojnë të avancojnë kualitetin e shërbimeve në repartin e Radioterapisë, ndërsa në repartin e Kimioterapisë digjitalizimin e shërbimeve.

“Pretendojmë të avancojmë kualitetin e shërbimeve në repartin e Radioterapisë përmes CT-simulatorit të ri, që është në montim e sipër dhe akceleratorit të ri linear, të cilin po planifikohet ta kemi. Në repartin e Kimioterapisë po planifikojmë digjitalizimin e shërbimeve, e cila do të lehtësojë dhe favorizojë trajtimin meritor profesional të pacientëve tonë dhe mundësitë më të mëdha për profesionistët shëndetësorë”.

Klinika e Onkologjisë Mjekësore (QKUK)

Të frymosh me prezencën e kancerit në gji

Edhe sekondat tingëllojnë të gjatë në dhomën e klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëra të mposhtur nga sëmundja e qepalla të mbyllura, janë ato që i rrethojnë katër muret e kësaj dhome.

Ani pse të lodhur nga sëmundjet, pacientët në këtë hapësirë frymojnë pozitivitet.

Për kë?- për pacientët e rinj që i bashkohen asaj hapësire, që të mos mendojnë se jeta e tyre përfundon me një ofshamë. Jeta e tyre fillon pikërisht në momentin kur në korridoret e spitalit shohin pacientët më të vjetër, të cilët kanë mposhtur sëmundjen.

Sfidat si imuniteti i dobët, rënia e flokëve e operimi i gjinjve, janë ato që përveç si terapi shkatërruese të trupit, janë edhe terapi shkatërruese të shpirtit. Terapi që lodhin mendjen e zemrën, por që në fund plotësojnë zbrazëtitë.

Klinika e Onkologjisë

Të jesh e shtrirë, duke parë vdekjen me sy

Ani pse me shumë sfida, kjo sëmundje nëse vërehet në fazë të hershme mund të ketë sukses.

S.H, një paciente, nënë e katër fëmijëve mposhti kancerin vetëm duke e diagnostikuar atë shumë herët.

Po qëndroj ballë për ballë me këtë nënë, e cila vendosi ta shpalosë një pjesë të jetës së saj, e cila do t’i mbetet gjatë në mendje.

“Ishin ditët kur plogështia po kaplonte çdo pjesë të trupit tim, po mundohesha t’i shkrija ato copëza akulli, të cilat po i vendosja në trup për të zbehur dhimbjen, por isha gabim”.

Ndër lot, ajo rrëfen se kishte të njëjtën ndjenjë dobësie sikur po e shtrëngonte diçka e fortë në gjoks dhe po e ngulfaste.

Ajo nuk po përballonte më ushqimet e preferuara me ato erëzat pikante, sepse po e shkatërronin.

Gjithçka ishte ndryshe, kur mbi kokën e saj pa një mjek shtatlartë, i cili po vendoste një mjet detektues mbi gjoksin e saj, duke e vërenjtur fytyrën sikur nuk ishte gjithçka në rregull.

“Më tha se duhet të bëhesh e fortë, ke një tumor që është në fazën e hershme dhe nëse vepron sipas terapive, do ta kalosh.”

Ashtu edhe i ndodhi.

Pas mamografive të lodhshme, rënies së flokëve e pritjeve të gjata në rrezatime, ajo që 8 vjet qëndron e fortë sikurse asnjëherë nuk kishte pasur asgjë.

E këto zbrazëti i plotëson edhe personeli shëndetësor, ata që bashkëndiejnë çdo sfidë të pacientit.

Për Portalin Dukagjini, kishte rrëfyer përvojën e tij të punës onkologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Faton Sermaxhaj, i cili tregoi se punën e tij e bën me përkushtim dhe vullnet të pashpjegueshëm.

Sipas tij, kjo është ajo që pacientët që trajtohen nga kjo sëmundje kanë nevojë ta shohin, pra forcën dhe dëshirën për jetë në sytë e të tjerëve.

Sermaxhaj kishte treguar se në QKUK shërbimet edhe në muajin tetor ofroheshin ngjashëm, pra falas për secilin pacient.

“Në Klinikën e Onkologjisë, sikur muajt e tjerë edhe këtë muaj kimioterapia, radioterapia, hormonoterapia, target terapia janë falas”, kishte thënë ai.

Tutje, Sermaxhaj kishte shtuar se mamografia ofrohet falas gjatë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

I pyetur për kushtet në këtë klinikë, ai kishte thënë se ato janë të mira, me të gjitha mundësitë, por me mungesë të infermierëve, hapësirës spitalore dhe buxhetit për furnizim me barna.

“Klinika e Onkologjisë ka nevojë imediate për infermiere, për hapësirë, po ashtu ka nevojë për më tepër buxhet për barna, duke pasur parasysh avancimin e terapisë sistemike nga viti në vit. Pra, viteve të fundit terapia sistemike ka avancuar nga terapia konvencionale në imunoterapi (target terapi), e cila njëkohësisht ka një kosto shumë më të lartë në krahasim me terapinë konvencionale”, kishte theksuar Sermaxhaj. 

Paisja e re në Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Diagnostikimi i hershëm i sëmundjes shpëton jetë

Sipas një doracaku të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, njerëzit mund të dallojnë veten që janë në prag të prekjes nga kanceri i gjirit në mënyra të ndryshme si:

  • Në shumicën e rasteve shenja më e zakonshme e kancerit në gji është një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull.
  • Enjtje e një pjese apo e gjithë gjirit.
  • Irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit, apo trashje që ngjan me lëkurën e portokallit.
  • Gropëzim (kthim nga brenda) e thithit.
  • Skuqje apo zënie kore e thithit apo lëkurës së gjirit.
  • Rrjedhje nga gjiri, sidomos rrjedhje gjaku.
  • Dhimbje në gji apo në thithin e gjirit.
  • Si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.

Ndërkaq, lidhur me atë se kush është më i rrezikuar të preket nga kjo sëmundje, ky doracak shpjegon se në gjithë botën gratë preken më shumë nga kanceri i gjirit sesa burrat.

Por pse ndodh kjo, ka një mal me faktorë si; mosha- që zakonisht gratë mbi 50 vjeç janë më të rrezikuara, por nuk përjashtohen as moshat e reja.

Ndryshimet në gjene- që deri 10 për qind e kancerit të gjirit i prekin gratë për shkak të ndryshimeve apo defekteve gjenetike që mund të jenë të trashëguara.

Fillimi i hershëm i menstruacioneve- gratë që cikli menstrual u fillon para moshës 12 vjeç janë më të rrezikuara të preken nga kanceri i gjirit.

Pastaj faktorë të tjerë si mungesa e aktivitetit fizik, shtatzënia në moshë të madhe apo moslindja e fëmijëve, të qenët mbipeshë pas menopauzës, fillimi i menopauzës pas moshës 55 vjeç, pirja e alkoolit apo duhanit dhe historitë familjare me kancer të gjirit.

Megjithatë, në vendin tonë shërbimet në Klinikën e Onkologjisë janë të mundshme dhe shumica e trajtimeve ofrohen falas në QKUK, kësisoj qytetarëve u mbetet vetëm pajisja me informacione për kancerin e gjirit, kujdesi për vetveten dhe mënyra më e duhur për këtë është “vizita te mjeku”.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika