Viti i zgjedhjeve dhe seancave të dështuara të Kuvendit

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit hapën një nga krizat më të gjata institucionale në Kosovë, pasi asnjë parti nuk arriti të sigurojë shumicë. Kronika në vazhdim pasqyron dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, që përfunduan me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk prodhuan një shumicë të qartë parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 48 ulëse, e ndjekur nga PDK-ja me 24, LDK-ja me 20, Lista Serbe me 9, koalicioni AAK–Nisma me 8, si dhe 11 ulëse të rezervuara për komunitetet joshumicë.

Ky konfigurim politik solli një krizë të gjatë institucionale që u shtri përgjatë vitit 2025.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit u mbajt më 15 prill, por dështoi pasi deputetët nuk miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. PDK, LDK dhe AAK e kundërshtuan, duke argumentuar se Albin Kurti dhe anëtarët e Qeverisë nuk kishin dhënë dorëheqje para betimit si deputetë.

Mandatet dhe betimi i deputetëve u miratuan vetëm në tentimin e tretë, por procesi ngeci te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Më 19 prill, Vetëvendosje propozoi për herë të parë Albulena Haxhiun, e cila mori maksimumi 57 vota – të pamjaftueshme për zgjedhje.

Seancat e pasuksesshme u përsëritën çdo 48 orë deri më 1 maj. Në tentimin e dhjetë, kryesuesi Avni Dehari propozoi ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë, çka u kundërshtua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.

Më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet vetëm me votim të hapur, procesi i konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve dhe i njëjti kandidat mund të hidhet në votim maksimumi tri herë.

Pas këtij vendimi, më 20 gusht rifilloi procesi i konstituimit. Kandidatët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, sërish nuk morën votat e nevojshme. Po ashtu dështuan edhe kandidaturat e Hekuran Muratit dhe Arbërie Nagavcit.

Më 26 gusht u arrit një përparim i rëndësishëm, Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit me votat e PDK-së, pasi nuk ishte pjesë e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit, kusht ky i vendosur nga kjo parti.

U zgjodhën edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare, por procesi ngeci te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe e dërgoi çështjen në Kushtetuese, duke kundërshtuar mënyrën e votimit. Gjykata, në aktgjykimin e fillimit të tetorit, vendosi që nënkryetari serb duhet të zgjidhet me 61 vota, propozimi duhet të vijë me shkrim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb dhe Kuvendi kishte 12 ditë afat për ta përmbyllur procesin.

Me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar, Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor – plot tetë muaj pas zgjedhjeve.

Më 26 tetor u mbajt tentativa e parë për votimin e Qeverisë Kurti 3. Albin Kurti mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, duke dështuar të sigurojë shumicën. Ai hyri në seancë pa marrëveshje politike paraprake, ani se gjatë përpjekjes për votimin e kryetarit të Kuvendit, insistonte se i kanë votat e mjaftueshme për votimin e Qeverisë.

Tentativa e dytë u bë me ndryshimin e mandatarit – nga Kurti tek Glauk Konjufca – por rezultati ishte i njëjtë: 56 vota për, 53 kundër dhe 3 abstenime. Me këtë u shterën të gjitha mundësitë kushtetuese për formimin e Qeverisë.

Pas dështimit institucional, presidentja Vjosa Osmani shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke caktuar 28 dhjetorin si datë të votimit, propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje.

Të fundit nga rubrika